Mustafa: Veliu në Podujevë do të fitojë pa balotazh
Mustafa: Veliu në Podujevë do të fitojë pa balotazh
18.10.2017 | 14:47
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë sot në Podujevë se qeverisja e mirë e Agim Veliut në shërbim të qytetarëve dhe oferta e tij për katër vitet e ardhshme e bën atë fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve pa balotazh.
“Nga ky tubim madhështor dua të përçoj optimizmin tonë real, të matur saktë, për fitore të thellë të LDK-së në Podujevë dhe në shumicën e komunave të Kosovës. LDK-ja po kthehet fuqishëm si partia më e madhe politike e Kosovës. Urime Agim! Fitoren pa balotazh ta sigurojnë këta që janë mbledhur në këtë tubim madhështor dhe familjet e mira, të ndershme e punëtore të Llapit”, ka thënë Mustafa. Sipas tij, jo vetëm anëtarët e simpatizantët e LDK-së, që në Llap janë shumë dhe janë më të fortët, por edhe të gjithë qytetarët e komunës së Podujevës, janë dëshmitarë të qeverisjes së mirë e transparente të Veliut. “Llapi e llapjanët i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës figura të çmuara në të gjitha fushat. Ju dini të qeverisni vet komunën tuaj, me njerëzit tuaj të mirë e punëtorë. Ju i keni besuar gjithmonë LDK-së së Ibrahim Rugovës. Ju jeni me LDK-në sepse LDK-ja është parti e vlerave, e ruajtjes së familjes dhe që e kultivon besimin në Zot”, ka theksuar Mustafa, duke shtuar se Veliu është angazhuar shumë që qeveria e udhëhequr nga LDK-ja ta fillojë ndërtimin e rrugës moderne Podujevë-Prishtinë. Kurse kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se gjatë viteve të shkuara janë realizuar me qindra projekte, të cilat kanë përmirësuar jetën e qytetarëve. “Lidhja jonë është lidhje e qytetarëve, bujqve, pensionistëve, studentëve, të rinjve, grave motra dhe nënave tona. Kjo është Lidhja ndërmjet nesh, Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo Lidhje askund nuk është më e fuqishme se në Podujevë”, ka thënë Veliu. Sipas tij, Podujeva mbetet bastion i LDK-së. “Askund në Kosovë LDK-ja nuk është më e fuqishme se në Podujevë, prandaj askund sikur në Podujevë LDK-ja nuk po përballet me sulmet e të gjithëve kundër saj. Dua t’ua përkujtoj oponentëve politikë se Podujeva para se të jetë bastion i LDK-së, është edhe bastion i lirisë, i kulturës, i qytetarisë, është bastion i demokracisë dhe ky bastion nuk ka për t’u thyer kurrë”, është shprehur Veliu.