Myftiu Tërnava mori pjesë në manifestimin e javës së ditëlindjes së Muhamedit a.s.
Myftiu Tërnava mori pjesë në manifestimin e javës së ditëlindjes së Muhamedit a.s.
20.04.2017 | 17:26
Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe DIYANET-it të Turqisë, në Sallën e Konferencave në Fakultetin e Studimeve Islame është mbajtur manifestimi “Java e Ditëlindjes së Muhamedit a. s.”.
Në këtë eveniment kanë marrë pjesë myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç, dekani i FSI-së, prof. dr. Fahrush Rexhepi, përfaqësues nga DIYANET-i, Mustafa Boduri, komandanti i KFOR-it turk si dhe personalitete të jetës fetare e kulturore të vendit.
Fillimisht të pranishmit i ka përshëndetur dekani prof. dr. Fahrush Rexhepi, i cili pasi u ka dëshiruar mirëseardhje mysafirëve, ua kujtuar se dita në të cilën lindi Muhamedi a. s ishte historike për botën dhe njerëzimin. Ndërsa Mustafa Boduri nga DIYANET-i i Turqisë ka thënë se “java e manifestimit të ditëlindjes së Muhamedit a. s. është javë që shpjegohet dhe jetohet këshilla e tij që ne si shoqëri kemi nevojë shumë e sidomos për siguri të duhur, duke vënë theksin në epokën të cilën po e jetojmë është epoka e komunikimit dhe e gjithësisë e shkencës”. Ai ka kujtuar se Muhamedi a. s. u quajt El Emin (i besueshëm) edhe para se të ishte pejgamber.
Nga ana e saj ambasadorja Kivilcim Kiliçi ka theksuar se ditëlindja e profetit Muhamed është drejtësi e siguri e afrim mes njerëzve. “Feja islame është fe e sigurisë dhe e bukur që e do paqen dhe është paqësore e s’ka të bëjë asgjë me dhunën dhe me egërsinë. Jeta e Muhamedit a. s. reflektoi siguri dhe dritë në jetë. Ne duhet të mundohemi ta bëjmë botën më të lumtur dhe të krijojmë më shumë siguri”, ka thënë ambasadorja Kiliç.
Ligjëratën qendrore e ka mbajtur myfti i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili para të pranishmëve ka theksuar se kur bota mbytej në errësirë dhe tirani Allahu i dhuroi njerëzimit mbarë dritën e cila shndriti këtë univers, pasi e kishte kapluar errësira. “Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin mëshirë të pafund për tërë krijesat e gjalla dhe jo të gjalla, dheun e gurin, lumin e detin, qiejt e tokën, kohën dhe hapësirën, e në veçanti për njeriun. E bëri atë pretekst të begatisë, udhëzimit, mëshirës, butësisë dhe shpëtimit. Muhamedi a. s. me paraqitjen e tij bëri një kthesë vendimtare në tri kontinente: në Azi, Afrikë dhe Evropë. Me vrullin e fuqishëm të përhapjes së mësimeve të tij u lëkundën dhe shkatërruan nga themelet e tyre dy perandori të mëdha: Bizanti dhe Persia. Ai u paraqit në vendin më të shkatërruar më të prapambetur e në mesin e adhuruesve më të mëdhenj të idhujve. Ai me urdhrin e Allahut xh. sh. gjeti forcën, dijen e kurajën dhe pa hezitim shpalli Islamin fe të vetme të Allahut xh. sh., e cila urdhëron besimin në një Zot të vetëm dhe largim nga besimet e kota besimi në idhuj e puta. Ai me punën e tij dhe misionin e marrë nga Zoti xh. sh., vuri themelet e një shoqërie të qytetëruar e kulturuar, ky besim e qytetërim i ri në mesin e atij populli i cili jetonte në errësirën mesjetare e rilindi atë për një jetë të re e të begatë”, ka thënë Tërnava.
Në vazhdim Myftiu Tërnava ka theksuar se i Dërguari i Allahut xh. sh., ngrihej pra një të vjetri, i ndihmonte dhe i vizitonte të sëmurit, i mëshironte dhe i donte të varfrit, u kushtonte kujdes të veçantë të mjerëve dhe të braktisurve, e ngushëllonte të dobëtin, ishte tolerant dhe i afërt me të gjithë.
Në fund të ligjëratës së tij Muftiu Tërnava ka vlerësuar se Muhamedi a. s. Është shembull butësie dhe dhembshurie ndaj anëtarëve të familjes. Është shembull me mëshirën e tij ndaj të dobëtëve, të vetmuarve, robërve e skllevërve, është shembull me faljen dhe mirëkuptimin ndaj mëkatarëve dhe gabimtarëve.
Në fund u dha edhe një program artistik të përgatitur nga nxënësit e Medresesë Alauddin.