Nëntë vjet shtet
Nëntë vjet shtet
17.02.2017 | 08:43
Sot shënohet 9-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Për nder të 9-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të organizohen aktivitete të ndryshme.
As këtë vit nuk do të ketë manifestim qendror, në të cilin do të parakalonte FSK-ja dhe do të flisnin krerët shtetërorë.
Dita e shpalljes së Pavarësisë, 17 Shkurti, do të fillojë me homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari në Prekaz. Koha e homazheve është paraparë të ndodhë në orën 9:00 deri në orën 11:00. Më pas, Ministria e Kulturës e Rinisë dhe e Sportit në orën 11:00 do ta bëjë ndarjen e çmimeve letrare.
Në orën 20:00 Ansambli “Shota” do të organizojë koncert në Teatrin Kombëtar. Po ashtu, sot autoritetet komunale do të bëjnë vizita dhe do të vendosin kurora me lule në varrezat e dëshmorëve dhe do të bëjnë vizita në familjet e dëshmorëve.
Në ditën e shpalljes së Pavarësisë, në orën 10:00, kuvendet komunale do të mbajnë mbledhje solemne me mysafirë të ftuar. Për ndër të kësaj dite, komunat ndajnë mirënjohje dhe dekorata për personalitete të vlerësuara komunale në shenjë të 9-vjetorit të Pavarësisë.
Po ashtu, komunat organizojnë manifestime të ndryshme sportive, kulturore dhe aktivitete të tjera komunale që mund të jenë specifike për secilën komunë në varësi të mundësive të tyre.
Për nder të përvjetorit të Pavarësisë, aktivitete do të ketë edhe më 18 shkurt. Këtë ditë, në orën 17:00, do të organizohet turneu tradicional për nder të Pavarësisë së Republikës së Kosovës në futsall në Pallatin e Rinisë.
Kurse dje Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur një seancë solemne, kushtuar nëntëvjetorit të pavarësisë. Seanca ka nisur me intonimin e himnit shtetëror.
Më pas, deputetëve u është drejtuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se për nëntë vjet shtet, Kosova është njohur nga 113 vende dhe tani synon integrimin e saj në NATO dhe Bashkim Evropian.
Thaçi ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian që e kanë ndihmuar dhe njohur shtetin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se 17 shkurti 2008, është futur në historinë e Kosovës, falë kontributit më dekada të punës, vizionit dhe përkushtimit të popullit për të jetuar të lirë dhe të barabartë me vendet tjera të botës.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli,17 shkurtin e cilësoi datën më e madhe në historinë e popullit tonë, datë e cila ndanë epokat, që i jep kuptim të kaluarës dhe të ardhmes që Kosova ka përpara.
Në këtë seancë, nuk kanë marrë pjesë shumica e deputetëve opozitarë, sidomos ata të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe Nismës për Kosovën.
Kosova e ka shpallur Pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare konsiderohen datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Shpallja e Pavarësisë u bë sipas planit të Ahtisarit dhe në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë shteti i Kosovës u njoh nga fuqitë e mëdha demokratike. 9-vjetori i Pavarësisë, Kosovën e gjen të njohur nga 113 shtete dhe shumë organizata politike, kulturore dhe sportive.
 
(Epoka e re)