Orientimi i Kosovës, integrimi në BE dhe NATO
Orientimi i Kosovës, integrimi në BE dhe NATO
20.04.2017 | 18:20
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, Teuta Rugova, zëvendëskryetare e këtij komisioni dhe Puhie Demaku, anëtare, kanë pritur të enjten në takim shefin e Misionit për Evropë në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, senatorin Jean Paul Wahl.
Reçica, pasi e ka falënderuar senatorin Wahl për vizitën, e ka njoftuar atë për angazhimet e komisionit që drejton, me theks të veçantë në veprimtarinë e tij në rrafshin e diplomacisë së jashtme.
Po ashtu, Reçica e ka njoftuar mysafirin edhe për punën e Kuvendit, duke vënë në pah angazhimet e tij të pareshtura për avancimin e demokracisë parlamentare.
Orientimi i shoqërisë dhe shtetit tonë, ka thënë Reçica, është integrimi në BE dhe në NATO, andaj, për këtë kemi nevojë për ndihmën tuaj dhe të shtetit tuaj.
Me tutje Reçica e ka njoftuar Wahlin edhe për raportet ndër fqinjësore të Kosovës dhe angazhimet e vendit tonë për të kontribuar në një paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.
Ndërsa senatori Jean Paul Wahl, ka njoftuar nikoqirët për angazhimet e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë.
Kjo organizatë ka deklaruar ai, ka për qëllim që të avancojë paqen dhe të kontribuojë në zgjerimin edhe më të madh të BE-së.
Sa i përket Kosovës, ai e ka inkurajuar dhe i ka rekomanduar kryetarit Reçica, që në emër të vendit tonë të paraqesë kërkesën për të qenë vëzhguese e Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë. Lidhur me këtë, Wahli ka shprehur bindjen e tij se Kosova së shpejti do të jetë vëzhguese në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë.