PD-ja paralajmëron bllokadë të trafikut në gjithë Shqipërinë
PD-ja paralajmëron bllokadë të trafikut në gjithë Shqipërinë
20.04.2017 | 21:31
Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha ka paralajmëruar këtë të enjte përshkallëzimin e protestave të opozitës, duke nisur nga java e ardhshme.
“Të hënën në orën 11:00 të bllokojmë trafikun total në të gjithë Shqipërinë. Edhe më 7 maj në Kavajë do t’i themi ndal krimit dhe drogës”, ka deklaruar Basha.
Basha ka përsëritur qëndrimin tashmë të njohur të opozitës, për qeveri teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Nuk ka zgjedhje fasadë të diktuar nga krimi dhe droga. Duam qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike. Duam luftë të vendosur dhe të vërtetë kundër drogës”, ka thënë Basha.
Nga çadra e protestës, Basha ka ritheksuar se opozita e bashkuar nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kërkesat e saj. “Fasada e kësaj qeverie ka rënë. Këtë e bëri kjo lëvizje dhe tani e vërteta ka dalë në pah. Këtë vullnet popullor nuk ka forcë që ta ndalë e ta kthejë mbrapa”, ka shtuar Basha. (TCh)