Protesta në Kosovë për arrestimin e Haradinajt
Protesta në Kosovë për arrestimin e Haradinajt
11.01.2017 | 09:22
Në të gjithë Kosovën zhvillohen sot protesta për lirimin e ish-kryeministrit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i arrestuar nga policia franceze në bazë të një urdhërarresti të Serbisë.
Protesta me moton “Kundër fyerjes dhe padrejtësisë” do të zhvillohet në Prizren, Gjilan, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë dhe Ferizaj dhe fillon në orën 11:55. Ndërsa Kuvendi i Kosovës, pavarësisht një seance maratonë dhe të jashtëzakonshme, nuk arriti të dalë me një rezolutë për lirimin e Haradinajt.
Pas 11 orë diskutimesh, dy rezolutat e prezantuara për ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, një e sponsorizuar nga AAK dhe e mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje! e Nisma dhe tjetra e prezantuar nga grupet parlamentare PDK-LDK, nuk kanë arritur të marrin votat e duhura.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka theksuar se rezoluta e dytë është plagjiaturë e rezolutës së tyre, pasi të tri pikat e para janë marrë nga teksti i tyre, ndërsa është shtuar vetëm teksti për raporte të mira me Francën.