Puna që kam bërë ma garanton fitoren
Puna që kam bërë ma garanton fitoren
26.09.2017 | 09:40
Kryetari i Komunës së Gjilanit, i cili sërish është kandidat për këtë pozitë në zgjedhjet e 22 tetorit, Lutfi Haziri, beson se përsëri do të zgjedhet kryetar i kësaj komune.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Haziri ka thënë se këtë pritje të tij e mbështet në punën e mirë që ka bërë gjatë këtij mandati qeverisës në Gjilan. Ai ka treguar se këtë herë për të parin e Gjilanit konkurron jo vetëm si kandidat i LDK-së, por si kandidat i qytetarëve të kësaj komune. Haziri i ka ftuar konkurrentët e tij politikë të garojnë me programe e jo me ofendime e shpifje. Sipas tij, nëse rivalët politikë zgjedhin këtë të fundit, ai ka paralajmëruar se do të refuzojë të debatojë me ta.
 
“Epoka e re”: Z. Haziri, si po ju shkon fushata zgjedhore?
Haziri: Fushata e LDK-së ka filluar më 22 shtator ashtu siç është paraparë me ligj. Paraprakisht kemi bërë një organizim të brendshëm, duke i takuar strukturat dhe duke i bashkërenditur aktivitetet, kalendarin dhe duke bërë vlerësimin e punës për realizmin e programit, të objektivave, të qëllimeve tona e deri tek planifikimet që parashihen në programi tonë ‘2017 plus’.
 
“Epoka e re”: Cila është oferta juaj për qytetarët e Gjilanit?
Haziri: Kemi arritur të realizojmë një masë të madhe financiare në Gjilan, duke qenë një komunë me disiplinë më të ashpër buxhetore. Rekomandimet pozitive që ne i kemi marrë nga auditori dhe instancat ndërkombëtare na kanë bërë partner strategjik me shumë donatorë, siç është Komisioni Evropian, Qeveria amerikane, Qeveria e Zvicrës dhe qeveritë e shteteve të tjera. Po ashtu, jemi përfitues të kredive që Qeveria e Kosovës i ka realizuar me Bankën Evropiane për Zhvillim në ndërtimin e infrastrukturës, me Qeverinë e Austrisë në një program për ndërtimin e kanalizimeve dhe ujërave të zeza në Gjilan. Ky mobilizim financiar në Gjilan kulmon me autostradën, e cila është pjesë e ligjit për buxhet këtë vit. Ne i kemi arritur objektivat tona sa i përket shtyllës së parë që është arsimi, shtyllës së dytë që është shëndetësia primare, duke përmirësuar infrastrukturën dhe personelin. Infrastruktura rrugore në Gjilan ka qenë e degraduar, ndërsa ne kemi arritur ta ndërtojmë. Në drejtim të Bujanocit kemi filluar rrugën Gjilan - Ferizaj dhe do ta fillojmë ndërtimin e rrugës Gjilan - Prishtinë dhe Gjilan - Kumanovë, që është objekti ynë tjetër. Natyrisht se i kemi organizuar të gjitha mjetet financiare, duke përfshirë angazhim shumë të madh për shlyerjen e borxheve që komuna i ka trashëguar në dy vjetët e parë. Ne jemi komunë që i realizon të hyrat qind për qind ose i tejkalon ato, siç ka ndodhur në vitin e kaluar. Ne me taksat komunale kemi bërë investime kryesisht në arsim duke përmirësuar infrastrukturën në arsim, sepse ky ka qenë prioriteti ynë. Po ashtu, kemi investuar në bujqësi, duke dhënë subvencione të mëdha, që kapin shifrën 1.6 milion euro. Ndërsa sektorin e kulturës e kemi rregulluar duke e funksionalizuar. Pastaj rininë dhe sportin i kemi subvencionuar duke dyfishuar investimet në këtë sektor. Natyrisht se mbetet edhe më shumë të bëhet në këtë drejtim. Në kuadër të angazhimeve tona ne kemi bërë vlerësimin e realizimit të objektivave tona. Programi ynë ‘2017 plus’ parasheh edhe partneritetin publiko-privat. Do të vazhdojmë të punojmë në kompleksin e Universitetit të Gjilanit, Qendrën Sportive, pastaj Stadiumin e Qytetit, ku do të ketë një investim prej 3.2 milionë eurosh që do të fillojë këtë vit. Ne do t’i vazhdojmë investimet edhe në zonën rurale siç është ndërtimi i palestrës në Zheger dhe fushat e hapura dhe të mbyllura për të gjitha objektet shkollore në Komunën e Gjilanit.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)