Qehaja: Anëtarësimi i Kosovës në Interpol me gjasa minimale
Qehaja: Anëtarësimi i Kosovës në Interpol me gjasa minimale
17.08.2017 | 08:26
Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka thënë se gjasat që Kosova të anëtarësohet këtë vit në Interpol janë minimale, dhe sipas tij, çdo manipulim në këtë drejtim duhet dhënë llogari. Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka treguar arsyet që mund të çojnë në dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol. “Gjasat që Kosova të anëtarësohet sivjet janë minimale dhe çdo manipulim në këtë drejtim duhet dhënë llogari. Kjo për një arsye mbase të vetme: shtetet të cilat përkrahin fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL janë kundër Palestinës e cila ka rastis që të jetë në agjendën e njëjtë për votim me Kosovën. Përderisa Kosova gjendet në një listë të votimit me Palestinën mundësitë për përkrahje janë minimale dhe këtë duhet thënë troç. Tani se a do të kemi gjasa sikur nuk do të ishim në një listë bashkë apo edhe vitin tjetër, mund t’ju them se përkrahja ndërkombëtare është shume e fuqishme dhe shumë më e vendosur se sa në UNESCO. As Rusia dhe as Serbia nuk do të mund ta ndal anëtarësimin e Kosovës sepse argumentet profesionale janë në favor absolut të bashkëpunimit të sigurisë në një botë ku sfidat globale të sigurisë janë asimetrike dhe tejet komplekse. Pra t’i ulim pritjet dhe thjesht të vlerësojmë në mënyrë objektive”, ka shkruar Qehaja.