Shënohet 9-vjetori i pavarësisë së Kosovës në Australi
Shënohet 9-vjetori i pavarësisë së Kosovës në Australi
17.02.2017 | 11:39
Ambasada e Republikës së Kosovës në Australi ka shënuar 9-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Pritja për Korin Diplomatik dhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Australisë është mbajtur në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanberra.
Në fjalën e tij ambasadori i Republikës së Kosovës në Australi dhe Zelandë të Re Dr. Sabri Kiçmari ka falënderuar Australinë dhe Zelandën e Re dhe vendet tjera për mbështetjen e Republikës së Kosovës në procesin e integrimit të saj në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare dhe për mbështetjen e qytetarëve të Kosovës gjatë luftës.
Ambasadori Kiçmari ka theksuar se në rrafshin politik, kulturor, gjeografik dhe historik Kosova tashmë e ka zënë vendin e saj dhe i përket familjes së vendeve demokratike të Evropës. “Republika e Kosovës ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE dhe është në rrugë e sipër për të filluar procedurat për pranim në NATO. Kosova është pjesë e koalicionit kundër terrorizmit dhe fundamentalizmit religjioz ndërkombëtar dhe po punon bashkë me vendet e tjera në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë”, ka thënë Kiçmari.
Duke përshkruar punën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanberra Ambasadori Kiçmari ka theksuar se ka qenë i nderuar për të nënshkruar Memorandumin e parë të bashkëpunimit ndërshtetëror me Australinë në prill të vitit që shkoi, kurse vizita e ministrit të Diasporës Valon Murati në Australi ka kontribuar në thellimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve dhe në mbështetje të Komunitetit Shqiptar në Australi.
Duke i informuar të pranishmit për Meshën me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës në Adelaide, ambasadori Kiçmari ka theksuar se “Shqiptarët në Kosovë, njësoj si ata në Shqipëri dhe në Maqedoni janë krenar me veprën humane të Nënë Terezës. Babai i saj ka qenë nga Mirdita në Shqipëri, nëna e saj nga Gjakova në Kosovë dhe ajo ka lindur në Shkup në Maqedoni. Shqiptarët e të tri religjioneve (muslimanë, katolikë dhe ortodoksë) janë krenar që i kanë dhënë botës gruan më të respektuar në botë: nënën tonë Terezë, të shenjtën e botës shën Terezë”.
Më pas ambasadori ka numëruar edhe sukseset e Republikës së Kosovës në fushën e sportit, muzikës dhe artit: Kosova u pranua në FIFA dhe UEFA, Majlinda Kelmendi siguroi medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike në Brazil, Besart Berisha u bë golashënuesi me i suksesshëm i të gjitha kohërave në futbollin profesionist australian, kurse Rita Ora, Dua Lipa dhe Nora Istrefi janë tashmë të njohura edhe këtu në Australi.
Në fund të fjalës së tij ambasadori Kiçmari i ka ftuar të pranishmit që të përcjellin operën “La Traviata” të Gjyzepe Verdit në Shtëpinë e Operas në Sydney, ku është duke u paraqitur me mjaft sukses sopranoja shqiptare Ermonela Jaho në rolin e Violetës. Një sukses të ngjashëm javë më parë ka korrur edhe Saimir Prigu në rolin e Bariut në operën “Mbreti Rogers” në Sydney.