Tërheqja do të ishte më e mirë sesa dështimi i dytë në UNESCO
Tërheqja do të ishte më e mirë sesa dështimi i dytë në UNESCO
26.09.2017 | 11:44
Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, njëherësh profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka thënë të hënën se institucionet e Kosovës nuk duhet të eksperimentojnë sa i përket aplikimit për anëtarësim në UNESCO.
Ai ka shprehur skepticizëm se Kosova i ka bërë përgatitjet e duhura dhe ka bërë aktivitete diplomatike lobuese të mjaftueshme për t’i marrë votat e nevojshme për anëtarësim në këtë organizatë. “Nuk mund ta them unë se a duhet aplikuar, pasi nuk kam informacione të duhura sa është punuar paraprakisht në lobim për t’i siguruar votat. Fatkeqësisht, pritjet e mia nuk janë të mëdha se Kosova do ta kalojë me sukses këtë sfidë. Nuk mendoj se është mirë të eksperimentojmë edhe një herë e të dështojmë. Pra, unë mbetem skeptik se ka pasur përgatitje të duhura dhe aktivitete diplomatike lobuese të mjaftueshme për t’i marrë votat e nevojshme për anëtarësim”, ka deklaruar Gashi për gazetën “Epoka e re”.
Sipas tij, më mirë do të ishte që Kosova të mos aplikojë fare sesa të aplikojë dhe të dështojë për herë të dytë.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se Serbia ka lobuar fuqishëm për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. “Arsyet e tërheqjes janë se nuk është bërë puna e nevojshme me shtetet anëtare të UNESCO-s. Kur them këtë kam parasysh se Kosova në ndërkohë, nga aplikimi i fundit, nuk e ka pasur shumë fokusin tek përgatitjet për riaplikim, sepse ka pasur edhe zgjedhje dhe tema të ndjeshme që i kanë shpërqendruar institucionet e vendit nga ky objektiv. Nga pikëpamja ime Serbia nga ana e saj, përfshirë edhe serbët e Kosovës, ka bërë një lobim mjaft të fuqishëm kundër këtij anëtarësimi. Duke qenë se ata kanë punuar dhe po punojnë shumë kundër dhe ne deri tani kemi ndenjur duarkryq dhe tash kemi shtuar paksa lobimin, unë mendoj se është vonë dhe kam frikë se epilogu do të ishte i pafavorshëm, ndaj i jap përparësi mosaplikimit, në vend të një dështimi të dytë”, ka theksuar Gashi, duke shtuar se dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO dy vjet më parë, ka dëmtuar shtetin më të ri në Evropë.
Ai ka thënë se ky dështim është tregues i mjaftueshëm se institucionet tona nuk kanë punuar mjaftueshëm në politikën e jashtme. “Dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO i dy vjetëve më parë ishte sa edhe i dhimbshëm, po aq edhe i dëmshëm për Kosovën. Këtë më të dhimbshëm e ka bërë edhe fakti se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është refuzuar apo abstenuar edhe nga disa shtete të cilat kanë njohur pavarësinë e vendit. Ky është tregues i mjaftueshëm se institucionet tona nuk kanë punuar mjaftueshëm në politikën e jashtme, meqë me disa nga këto shtete Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike, nuk ka qoftë edhe një zyrë ndërlidhëse apo konsullatë”, është shprehur Gashi.