Thaçi: Bullgaria, partner strategjik i Kosovës
Thaçi: Bullgaria, partner strategjik i Kosovës
19.10.2017 | 13:54
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve te Jashtme te Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.
Thaçi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë Kosovës gjatë procesit të shtetndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. “Bullgaria është partner strategjik i Kosovës”, është shprehur Thaçi, duke shtuar se “Bullgaria në vazhdimësi ka qenë një mbështetëse e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike. Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira bilaterale. Tani kemi nevojë për një bashkëpunim më të madh ekonomik ndërmjet të dyja vendeve”, ka theksuar Thaçi. Ai ka thënë se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit të Bullgarisë. Ndërsa zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ka thënë se Bullgaria mbështet të gjitha përpjekjet për paqe e stabilitet në rajon. “Duhet të shikojmë kah e ardhmja në paqe e bashkëpunim”, është shprehur ajo.