Veseli: 22 tetori është dita e PDK-së
Veseli: 22 tetori është dita e PDK-së
18.10.2017 | 18:40
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur tubimin përmbyllës elektoral në Ferizaj në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 22 tetorit.
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se tubimi i kësaj partie është mesazh i fitores së Agim Aliut, kandidat për kryetar të Ferizajt.
Ai ka thënë se me Aliun kryetar, Ferizajt do t’i kthehet dinjiteti. “Agim Aliu është njeri i transparencës shembullore në qeverisje”, ka thënë Veseli, duke shtuar se 22 tetori është dita e PDK-së.
Ndërsa, kandidati për kryetar të Ferizajt nga PDK-ja, Agim Aliu, ka thënë se e ka mbështetjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për të qeverisur këtë komunë. Ai ka thënë se do ta bëjnë Ferizajn qytet modern. “Ne mund ta bëjmë qytetin e Ferizajt më të mirë”, është shprehur Aliu.
Aliu ka thënë se do të krijojë lehtësira për hapje të vendeve të punës nëpërmjet fondit të punësimit. Ai ka premtuar se do ta ndërtojë Spitalin e Ferizajt si dhe do të angazhohet për ngritjen e nivelit arsimit.