Veseli bashkëbisedoi me minatorët e “Trepçës” (FOTO)
Veseli bashkëbisedoi me minatorët e “Trepçës” (FOTO)
20.03.2017 | 17:46
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka bashkëbiseduar dhe ka dëgjuar idetë e minatorëve të “Trepçës” për të ardhmen e gjigantit metalurgjik të Kosovës.
Minatorët kanë shfaqur shqetësimet e tyre për mungesën e mbështetjes së nevojshme për punësimin e minatorëve të rinj dhe për zgjidhjen e problemit të përvojës së punës dhe pensioneve të tyre. Minatori Kadri Selaci, ka kërkuar më shumë mbështetje për “Trepçën”, pasi sipas tij aty mund të punësohen shumë minatorë të rinj. “Puna me këta pak punëtorë po ecë edhe ka me ecë edhe ma shumë. Kemi nevojë për punëtorë, kemi nevojë për status të pensionit, kemi nevojë për mjete pune. T’i kemi këto dhe puna ka me ecë edhe është duke ecë”, ka deklaruar ai. Ndërsa Behxhet Vinarci, drejtues i prodhimit, ka kërkuar nga kryetari Veseli që të ndikoj që “Trepça” të trajtohet edhe me ligjet e ndërmarrjeve publike, si ndërmarrje e veçantë, ashtu siç është. “Ju kisha lutur që të bëni një ndikim të veçantë dhe ‘Trepçën’ ta trajtoni si ndërmarrje të veçantë edhe rreth çështjes së organizimit ose rimëkëmbjes, për arsye se ligjet për ndërmarrjet publike nuk e trajtojnë si të tillë”, ka thënë Vinarci.
Pasi ka dëgjuar idetë dhe kërkesat e minatorëve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se propozimet e tyre do t’i shërbejnë për ndërtimin e vizionit të ri për rimëkëmbjen e “Trepçës”. “Minierat, në rastin konkret që po bisedojmë dhe me cilën ju jetoni, i mbani edhe familjet e juaja, ka rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për familjet e juaja si minatorë por ka rëndësi për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Minierat janë lokomotivat e zhvillimit ekonomik të Kosovës, transformimit industrial të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Veseli. Pas bashkëbisedimit me minatorët, kryetari Veseli, ka drekuar me ta në mensën e “Trepçës”.
 
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)