Ymeri: Dialogu në Bruksel, i rëndësishëm vetëm si dialog
Ymeri: Dialogu në Bruksel, i rëndësishëm vetëm si dialog
21.04.2017 | 10:54
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka deklaruar se dialogu në Bruksel është i rëndësishëm vetëm si dialog.
“Dialogu në Bruksel është i rëndësishëm vetëm si dialog, pavarësisht marrëveshjeve që bëhen aty, sepse vetëm dialogu është qëllimi që Serbisë i konvenon. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë të mira, natyrisht, pasi jemi vende fqinje duhet të kemi marrëdhënie të mira politike, ekonomike, por fajtor pse nuk kemi marrëdhënie të mira e pse nuk kemi pasur është Serbia. Serbia është ajo që nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe bënë agresion kushtetues, nëpërmjet se strukturave paralele në 1/3 e territorit”, ka thënë Ymeri.
Më tutje Ymeri në sesionin e dytë punues të mbledhjes së tretë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, ka folur për gjendjen ekonomike në vend të deputetes së Vetëvendosje!-s, Donika Kadaj-Bujupi. Ai ka thënë së gjendja ekonomike në vend është e rëndë . “Gjendja ekonomike në Kosovë është shumë e rëndë e veçanërisht papunësia. Vit pas viti kemi një trumbetim të Qeverisë së kinse ka rënë papunësia, e po të analizohem shifrat nuk është kështu.
Tek të rinjtë papunësia është mbi 50 për qind, kurse tek gratë mbi 80 për qind. Kjo e përshkruan një pasqyrë të erret të gjendjes ekonomike e që përmbahet si ekonomi vetëm për shkak të remitencave”, ka thënë Ymeri.
Ai ka deklaruar se industrializimi i vendit është zgjedhje për zhvillim ekonomik. “Republikës së Kosovës i duhet një program i industrializimit. Prodhimtaria vendore ka nevoje për qasje në kapital dhe tregje. Krijimi i vendeve të punës në industri është mënyra më e mirë për të ulur papunësinë”, ka deklaruar Ymeri.

Redaksia online
(a.m. / epokaere.com)