Ymeri: Fletarrestimi për Albinin, joligjor, të anulohet
Ymeri: Fletarrestimi për Albinin, joligjor, të anulohet
21.04.2017 | 14:22
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, duke komentuar urdhërarrestin e lëshuar ndaj deputetit të kësaj partie, Albin Kurtit, ka thënë se ky fletarrest është i pabazë dhe joligjor, dhe ka kërkuar anulimin e tij.
Ymeri në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se varësia e gjyqësorit të Kosovës nga pushteti politik po na shndërron në vend qesharak. “Po bëhemi gazi i botës”, ka shkruar Ymeri.

Postimi i plotë i Visar Ymerit:
 
Në vendin ku sundon krimi e padrejtësia, lëshohet urdhër-arresti për aktivistin që proteston për drejtësi, barazi e demokraci.
Varësia e gjyqësorit të Kosovës nga pushteti politik po na shndërron në vend qesharak. Po bëhemi gazi i botës.
Edhe pse aferat korruptive mes politikanëve, biznesmenëve e kriminelëve kanë dalë sheshit, me publikimin e dosjes “Pronto”, në vend se të lëshohet urdhër-arresti për ta, lëshohet për ata që i denoncojnë këto afera korruptive e që proteston kundër tyre. Në këtë rast për Albin Kurtin.
Edhe pse shkencëtarët kanë ngritur me argumente e studime çështjen se Kosovës po i vidhet territori përmes një marrëveshje të padrejtë të nënshkruar nga pushtetarët, në vend se të hetohen ata që ia cenojnë integritetin Kosovës, kërkohet arrestimi i Albin Kurtit që ka protestuar për të kërkuar një demarkacion më të drejtë.
Edhe pse ka vendim të Gjykatës Kushtetuese që thotë se pushtetarët kanë nënshkruar marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe duke e thyer e duke e shkelur Kushtetutën, në vend se të arrestohen ata që e shkelin themelin ligjor, kërkohet arrestimi i atyre që protestuan dhe e parandaluan këtë shkelje.
Kosova e tenderëve të vjedhur, e korporatave miliardere, e luksit të oligarkëve, e nepotizmit, e shkatërrimit të shkollave e spitaleve, e varfërisë ekstreme dhe e papunësisë, nuk e ka asnjë të arrestuar përgjegjës për këto, edhe pse provat e dokumentet janë tashmë sheshit, sepse askush prej tyre nuk fshihet më ngaqë gjyqësorin dhe policinë e kanë nën kontroll.
Kosova e protestës kundër këtyre fenomeneve tashmë i numëron dhjetëra muaj burg për qindra aktivistë, e sot po kërkojnë ta arrestojnë dhe Albin Kurtin.
Ky fletarrest është i pabazë e jo ligjor. Duhet të anulohet menjëherë.