Ymeri: Mytaher Haskuka do t’ua kthejë Prizrenin qytetarëve
Ymeri: Mytaher Haskuka do t’ua kthejë Prizrenin qytetarëve
18.10.2017 | 18:07
Lëvizja Vetëvendosje! ka mbajtur tubim zgjedhor përmbyllës në Komunën e Prizrenit.
Kryetari i kësaj lëvizje, Visar Ymeri, ka thënë se Prizreni e ka më të shëmtuarin pushtet në krye. “Prizreni është vendi i bujqësisë së zhvilluar, zejtarisë e industrisë prodhuese, por edhe komuna e papunësisë e varfërisë. Prizreni është vendi i historisë së lavdishme, por edhe komuna e së tashmes së degraduar, Prizreni është vendi i filleve të arsimit shqip, i intelektualëve e dijes, por edhe komuna e sistemit arsimor të shkatërruar”, ka deklaruar Ymeri.
Ai ka theksuar se Prizreni është ndarë në dysh. Më tutje, Ymeri ka ftuar prizrenasit që ta votojnë Mytaher Haskukën për kryetar të Prizrenit “Megjithatë, ka vetëm një Prizren, ai i Lidhjes së Prizrenit. Lidhja e Prizrenit është mbajtur më 10 qershor. Qershori ishte muaji i kthesës së madhe. Prizreni ishte qyteti i fitores së Lëvizjes. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor. Tetori është muaji i 10 i vitit. Numri 10 është numri i Vetëvendosje!-s. Në Prizrenin e Lidhjes. Për fitoren e Vetëvendosje!-s. E kush më mirë e qeverisë Prizrenin se sa Vetëvendosje! E kush është kryetar më i mirë i Prizrenit se sa Mytaheri i Vetëvendosje!-s”, ka theksuar Ymeri.