Zogaj i gatshëm të kandidojë për kryetar të Drenasit
Zogaj i gatshëm të kandidojë për kryetar të Drenasit
17.08.2017 | 14:16
Partitë politike tashmë janë në fazën finale rreth kandidaturave për kryetarë të komunave për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ende nuk ka vendosur për kandidatin e saj në Drenas.
Në garë janë kryetari aktual, Ramiz Lladrovci dhe ish-deputeti i kësaj partie Bislim Zogaj. Ky i fundit thotë se fillimisht ka pasur disa kandidatura nga dega e PDK-së, në këtë qytet për të kandiduar, por këto kandidatura janë tërhequr me kusht qe PDK-ja të përcaktohet për emrin e tij si kandidat për kryetar. “Fillimisht ka pasur disa kandidatura, por në fund janë pajtuar që nëse PDK-ja përcaktohet për emrin tim, ata janë tërhequr dhe do të jenë në mbështetje të kandidaturës time. Tani ka mbetur kandidatura e kryetarit aktual Lladrovci, i cili pretendon se do të jetë gjithsesi i nominuar. Por, besoj ky vetëbesim i tij nuk do të ketë mbështetje tek struktura e PDK-së, e cila definitivisht është përcaktuar të mos e mbështet Lladrovcin për shkak të veprimeve tij për aq kohë sa ka menaxhuar Drenasin e mbi të gjitha ndërprerjen e bashkëpunimit apo injorimit të gjithë strukturës së PDK-së, dhe të njëjtën kohë sjellja e tij jo e mirë me qytetarët dhe bizneset”, ka thënë Zogaj për “Indeksonline”.
Ai pret reflektim nga kryesia e PDK-së në qendër, e cila sipas tij, është e vetëdijshme për pasojat me kandidimin e Lladrovcit për kryetar.
Zogaj, beson tek kreu i PDK-së, Kadri Veseli, të cilin e ka ftuar publikisht të mos e nominoj Lladrovcin për kryetar, pasi thotë se nuk e gëzon mbështetjen e anëtarësisë se PDK-së në Drenas.