Мajmunët
21 prill 2020
| 19:22
ADAM ZAGAJEVSKI
Një ditë majmunët erdhën në pushtet.
Vunë unaza ari nëpër gishtërinj,
veshën këmisha të bardha, të hekurosura,
thithën tym aromatik cigaresh prej Havane,
hapat i burgosën nëpër këpucët e zeza,
të lustruara.
Ne nuk i vumë re duke u marrë
me punë të tjera: dikush e lexonte Aristotelin,
një tjetër e mbijetonte
dashurinë e madhe.
Fjalimet e sundimtarëve
u bënë disi më kaotike
madje të pakuptueshme,
edhe ashtu kurrë
nuk i dëgjuam me vëmendje,
më shumë e deshëm muzikën.
Luftërat u bënë më kafshërore,
burgjet kundërmonin
më shumë sesa më parë.
Më duket se në pushtet erdhën majmunët.
(Përktheu Salajdin Salihu. Marrë nga revista “Akademia”©)