Gjermania i jep kredi milionëshe Turqisë për mbrojtjen e klimës
Gjermania do ta mbështesë financiarisht Turqinë për teknologji më të favorshme ndaj mjedisit.
Lajmin e ka bërë me dije kancelarja Angela Merkel gjatë vizitës në Stamboll.
“Gjermania do ta mbështesë Turqinë në nivel bilateral”, ka thënë Merkeli pas takimit me presidentin turk, Rexhep Tayip Erdogan.
Lidhur me këtë po zhvillohen ende bisedime. Sikurse njofton agjencia e lajmeve “Reuters”, Turqia pas ratifikimit të Marrëveshjes së Parisit për mbrojtjen e Klimës ka marrë një premtim kredie në vlerën mbi 3.1 miliardë euro.
Kjo shumë, sipas marrëveshjes, do të jepet nga Banka Botërore, Franca dhe Gjermania.
Gjermania duhet të jap mbi 200 milionë euro. Merkeli e ka përshëndetur ratifikimin nga Turqia të marrëveshjes së Parisit për mbrojtjen e klimës. Tani të gjitha shtetet e G20 e kanë nënshkruar këtë marrëveshje.
Takimi në mes të Merkelit dhe Erdoganit është zhvilluat në pjesën historike të qytetit Tarabya buzë ngushticës së Bosforit.
Tema të tjera të vizitës së lamtumirës të kancelares në Stamboll ishin edhe Afganistani dhe bisedimet që po zhvillohen me talibnët, situata aktuale në Libi e në Siri si dhe politika e BE-së për migracionin. Merkeli ka deklaruar se në samitin e BE-së javën e ardhshme do të angazhohet, që Turqia të marrë ndihma të mëtejshme nga BE për kujdesin ndaj refugjatëve sirianë.
Turqia ndodhet në njërën prej itinerareve kryesore të transitit për refugjatët që synojnë të mbërrijnë në Evropë. Në marrëveshjen e vitit 2016, Ankaraja ka premtuar ndër të tjera se do të veprojë kundër bandave të kontrabandës me njerëz, që kalojnë refugjatët në Greqi. BE-ja e ka mbështetur në kompensim Turqinë gjatë viteve të kaluara me shuma miliardëshe.
Merkeli ka thënë se është evidentuar, që për disa tema ne jemi të një mendimi.
“Ne e kuptojmë që në aspektin gjeostrategjik jemi shumë të varur nga njëri-tjetri”, ka thënë kancelaria, duke iu referuar Afganistanit, migracionit ilegal si dhe zhvillimeve në Afrikë.