Ambasadori norvegjez: Të rishikohen detajet rreth Asociacionit (Video)
Është esenciale të rifillohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, si një rrugë para, për përparimin e të dy vendeve. Derisa udhëheqja e politikës së jashtme të një shteti duhet të ketë pikënisje gjithmonë Kushtetutën e vendit, e Kushtetuta e Kosovës thotë se presidenti është lideri që duhet ta bëjë atë.
Kështu ka thënë ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, në një intervistë për “Kosovpress” në të cilën ka folur për situatën politike në Kosovë, përfshirë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe liberalizmin shumëpritur të vizave.
Sipas tij, palët në dialog duhet të shmangin llojin e sjelljes që është provokuese, dhe se kjo përgjegjësi i takon Beogradit dhe Kosovës, ngase ndryshe shanset për arritjen e marrëveshjes finale do të jenë më të vogla se sa mund të kishin qenë më parë.
Më tutje, ai ka folur edhe për transformimin e mandatit të FSK-së në atë ushtarak, diçka që sipas tij do të ndodh, por vështirë se mund të flitet tash për një datë se kur.
I pyetur rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe detyrimin që Kosova ka për të themeluar dhe funksionalizuar atë, ambasadori norvegjez ka theksuar se një shkallë e decentralizimit të kompetencave është e natyrshme në çdo vend dhe veçanërisht ato vende ku ka komuniteti jo shumicë.
Duke folur ndërkaq rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe datën e mundshme kur do të mund të ndodh kjo, ambasadori norvegjez ka thënë se nuk është i sigurt për afatin kohor dhe nuk mendon se është kohë e mirë të flitet për datë por të punohet në përmbushje të kritereve.