Deputetët kërkojnë që çështja e shamisë në shkolla të rregullohet me ligj
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, që ta ndryshojë udhëzimin administrativ të vitit 2010 për shkak të mossaktësimit për bartjen e shamisë në shkolla.
Mungesa e specifikimit me ligj për bartjen e shamive në shkolla sipas deputetëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, po len jashtë bankave shkollore shumë vajza në komuna të ndryshme të Kosovës.
Lidhur me këtë, ministrja Nagavci ka thënë se baza kushtetuese për temën në fjalë është mjaft e qartë dhe se është mirë e definuar, teksa ka shtuar se të gjitha keqinterpretimet ligjore duhet të diskutohen së bashku.
Ajo ka thënë para deputetëve se do të angazhohen që e drejta për shkollim të mos i mohohet asnjë fëmije e si rrjedhojë edhe asnjë vajze, porse nuk specifikoi nëse mbështet apo jo bartjen e shamisë në shkolla.
Nagavci ka thënë se nuk kanë informacione që ndonjë fëmije i është ndaluar vijimi i mësimit për shkak të shamisë.
“Si ministri sigurisht që prioritet e kemi garantimin e të drejtës së secilit fëmijë për shkollim. Natyrisht, nuk shoh ndonjë problematikë, ose nuk kemi së paku nuk kemi të referuara nga shkollat lidhur me çështjen që ju adresoni”, ka thënë ajo.
Kjo deklaratë e ministres ka bërë që deputetët të përmendin disa raste kur vajzave në shkolla fillore iu është ndaluar e drejta për të vijuar mësimin për shkak të shamisë.