​Deputeti i LV-së: Plani franko – gjerman nuk është në fazën e njoftimit të Kuvendit

14 nëntor 2022 | 14:09

Kuvendi i Kosovës do të mbajë  këtë javë dy seanca plenare. Të enjten do të mbahet seanca e re plenare, ku pritet të diskutohet Projektligji për buxhetin e vitit 2023, ndërsa të premten do të trajtohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara, mes tyre edhe debati parlamentar për shëndetësinë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos për seancat plenare, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka bërë me dije se është orientuar agjenda edhe për seancën plenare të 24 nëntorit, ku do synohet votimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

“Kryesia mori vendim që këtë javë të kemi dy seanca. Të enjten seancë plenare, ndërsa të premten, vazhdim i pikave të papërfunduara nga seancat e mëhershme. Ndërkohë që po ashtu diskutoi dhe orientojë rendin e ditës për seancën e 24 nëntorit të javës tjetër. Natyrisht, të enjten do të kemi vetëm Projektligjin për buxhetin për vitin 2023, natyrisht përveç pyetjeve parlamentare dhe atyre jashtë rendit të ditës. Pastaj të premten do të kemi një diskutim për gjendjen në shëndetësi dhe disa projektligje të mbetura”, ka thënë Rrustemi.

I pyetur nga gazetarët për planin franko-gjerman, Adnan Rrustemi, ka thënë se nuk është në fazën e njoftimit të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk është në fazën e njoftimit të Kuvendit të Kosovës. Ne kemi informacione për aq sa është diskutuar në publik, vlerësimit dhe deklarimit të kryeministrit në rastin konkret”, ka thënë Rrustemi.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka adresuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për menaxhimin me shëndetësi, për çfarë ka thënë se kanë iniciuar debat parlamentar të premten për këtë dikaster.

“Ju e shihni se tashmë një kohë të gjatë ky sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm është mbetur pa ministër dhe nuk e ka fokusin fare të kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës. Është e patolerueshme që për një periudhë kaq të gjatë në këtë sektor të rëndësishëm të mbetet pa ministër. Tash e sa kohë fokusi i qeverisë ka humbur fare, kemi një degradim të shërbimeve dhe kemi një situatë më të rëndë që po krijohet dhe po ndikon në xhepin e qytetarëve”, ka thënë Tahiri, duke kritikuar kryeministrin Kurti edhe për deklaratat e tij për situatën ekonomike.

“Qytetarët atë çka e kanë përjetuar në këto dy vitet e fundit ka qenë rritja enorme dhe jashtëzakonshme e çmimeve. Këtu s’po flasim për rritje ekonomike, por për rritje të çmimeve që iu pamundëson qytetarëve të Kosovës që të furnizohen me ushqime. Do të donim që të ishte e vërtetë ajo që ka deklaruar Kurti, që të kishte rritje ekonomike të tillë që do të afektonte mirëqenien e qytetarëve. Por, ne e kemi parë të kundërtën, nuk e kemi parë rritjen ekonomike, por rritjen e çmimeve”, ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për buxhetin për vitin 2023, për të cilin ka thënë se është pa vizion dhe se nuk reflekton gjendjen në të cilën është Kosova.

“Ky është një buxhet totalisht pa vizion dhe i pa reflektuar në gjendjen që është sot Kosova. Janë disa argumente. Argumenti i parë është deklarata skandaloze e ministrit të Financave, ai del e u thotë sektorit privat dilni dhe rritni rrogat se iu ka rritë fitimi. Përderisa në këtë buxhet dhe sesion nuk e ka sjell ligjin e pagave që e ka në dorë. Pra ministri Murati e ka në dorë ngritjen e pagave në sektorin publik dhe po ashtu e ka buxhetin për këtë punë. As nuk e ka sjell vinë buxhetore për këtë ligj dhe mbi të gjitha as nuk ka sjell koeficientet”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë, por edhe gjendjen në veri, Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Kurti për qëndrimin jashtë vendit, derisa në Kosovë gjendja e sigurisë është kritike.

“Për AAK-në një moment është kritik sot për Kosovën, ajo e gjendjes në veri. Siç e dini ne kemi thirrur një interpelancë me katër pika për kryeministrin e Kosovës. Në kryesi e diskutuam që ajo të ndodh këtë javë, mirëpo siç po shihet agjenda e kryeministrit më e rëndësishme është me qenë jashtë vendit, sesa brenda. Kësisoj nuk arritëm të dakordojmë një datë të caktuar për interpelancë këtë javë”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo kritikoi ashpër Manchester Unitedin. Ylli portugez për “The…