​“Dështon” Zona Ekonomike Amerikane, Zeka: Jemi të frustruar, qeveritë nuk e patën prioritet

08 janar 2022 | 10:22

Që të ketë Kosova investime më të mëdha amerikane dhe të tjera të huaja, vendi duhet të ketë stabilitet politik, të fuqizojë sundimin e rendit e të ligjit dhe të sigurojë furnizim të rregullt me energji elektrike.

Kështu ka vlerësuar drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i cili kërkon nga Qeveria e Kosovës që në vitin 2022 ta ketë në fokus përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe përmirësimin e ofertës për investitorët e huaj.

Zeka thotë në një intervistë për KosovaPress se është fatkeqësi për vendin që kjo qeveri dhe ato të kaluarat kanë dështuar ta bëjnë realitet Zonën Ekonomike Amerikane në Gjakovë.

Madje Zeka thotë se çështja e zonës tashmë është e mbyllur, dhe shprehet i frustruar që kjo zonë asnjëherë nuk u arrit të jetësohet që prej vitit 2018 kur ishte marrë vendim për themelimin e saj.

“Unë personalisht, Oda Ekonomike Amerikane jemi të frustruar për faktin që kjo zonë asnjëherë nuk ka arritur të jetësohet. Një ndër intervistat e para unë pata shprehur edhe skepticizmin tim për sa i përket dinamikës për funksionalizimin e kësaj zone. Është fatkeqësi që ne asnjëherë nuk kemi arritur të funksionalizojmë një zonë të tillë, e cila ka pasur një qëllim të jashtëzakonshëm edhe vet për nga natyra, ka qenë një zonë e karakterit unik, jo vetëm në kontinentin e Evropës, por anë e mbanë botës. Meqenëse ka qenë e dedikuar vetëm për investitorët me kapital amerikan. Besoj, që zona tashmë është çështje e mbyllur, as kjo Qeveri (Kurti II), as Qeveria (Hoti) e qershorit të vitit të kaluar (2020), e as qeveria e parë që e kishim në fillim të vitit 2020 (Kurti I), nuk e kanë përfshirë këtë zonë në mesin e prioriteteve të tyre. Madje asnjëherë nuk është diskutuar si çështje. Është njëra ndër 50 rekomandimet që Oda Ekonomike Amerikane ia ka dorëzuar kësaj qeverie, pra të përfshihet edhe funksionalizimi i kësaj zone, por gjasat që e njëjta të bëhet realitet janë të vogla”, thotë Zeka.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të fokusohet si shtet për tërheqjen e investimeve jo vetëm amerikane, por edhe të investimeve të tjera të huaja, derisa ka shtuar se Kosova ka një numër të madh të përparësive konkurruese që mund t’u ofrojë këtyre investitorëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
441 gjoba janë shqiptuar për mosrespektim të ligjit anti-Covid në…