Dorëzohet kallëzimi penal kundër presidentit Thaçi
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka dorëzuar pranë Prokurorisë Themelore të Prishtinës Kallëzimin Penal të bërë kundër presidentit Hashim Thaçi, në lidhje me deklarimet e tij të datës 23 mars – për të mos respektuar vendimet e marra nga Qeveria në raport me masat mbrojtëse kundër virusit COVID-19.
“Më 23.03.2020, presidenti në konferencë për media del me deklaratë ku bën thirrje për mosrespektim të vendimit të Qeverisë. Deklarimi i tij verbatim është ky: ‘Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundërkushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. As Policia e Kosovës dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundërkushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale’. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës parashihen gjithsej 30 nga kompetencat e presidentit të vendit. As edhe njëra prej tyre nuk ka të bëjë me vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendimeve të Qeverisë. Kjo kompetencë u takon gjykatave”, thuhet në komunikatën e MPBAP-së.
“Presidenti përmes deklarimeve të tij dhe thirrjeve për mosrespektim të vendimit të Qeverisë në datën 23 mars 2020, përveç që ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët, i njëjti gjithashtu ka mundur të ndikojë që përmes këtyre thirrjeve të shkaktojë kaos nëpër rrugë dhe të ‘kontribuojë’ në shpërndarjen më të madhe të Virusit COVID-19, si rezultat i qytetarëve që nuk do të respektonin vendimin e Qeverisë – sipas rekomandimeve të presidentit. Në lidhje me këtë, dhe marrë parasysh se ne jemi të dedikuar t’i respektojmë organet e drejtësisë dhe të krijojmë një shtet ku sistemet janë me të vërtetë të ndara, z. Sveçla dorëzoi Kallëzimin Penal kundër presidentit, duke ngritur dyshimin e bazuar se presidenti ka kryer veprën penale ‘Thirrje për rezistencë’ të paraparë në Nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e MPBAP-së.
/Epoka e re/