Drenica mposhti Ferizajn, Gjilani e Flamurtari ndajnë pikët
Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të xhiros së 19 në Ipko Superligën e Kosovës.
Pas humbjes nga Ballkani, Drenica i është kthyer fitoreve në Superligë, duke triumfuar 3-1 në shtëpi ndaj Ferizajt.
Drenica e nisi furishëm takimin, rezultati u zhbllokua në minutën e 5’ – Kreshnik Uka gjendet bukur pranë zonës dhe me një goditje të lehtë realizoi për 1-0 në portën e zbrazët.
Kurse për 2-0 dhe rezultatin e pjesës së parë, shënoi Diar Prokshi. Ai përfitoi nga një harkim i bukur nga Taulant Dajaku dhe me një goditje të saktë brenda zonës e dërgoi topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë u shënuan edhe dy gola.
Fillimisht Qemail Elshani shënoi në minutën e 82’ për rezultatin 3-0, duke i dhënë fund çështjes së fituesit dhe krejt çka arritën mysafirët, ishte goli i nderit në minutën e 84’, i shënuar nga Genc Hamiti.
Në xhiron e 19, fitore ka marrë edhe Ballkani, që e ka fundosur KEK-un duke e mposhtur 2-0.
Blend Baftiu shënoi për rezultatin 1-0 në pjesën e parë, kurse në atë të dytë, në minutën e 57′, Borche Manevski realizoi për rezultatin përfundimtar 2-0.
Kurse në ndeshjen tjetër, mes Gjilanit dhe Flamurtarit, nuk pati fitues. Pavarësisht rasteve nga të dyja skuadrat për 90 minuta, portat mbetën të paprekura, duke ndarë kështu pikët në fund.