FSK merr pjesë në stërvitjen DRM2 EX21
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Armend Mehaj është deklaruar me rastin e dërgimit të një kontingjenti të FSK-së në stërvitjen e Forcave të Armatosura sllovene “Disaster Relief and Military Mobility Exercise 2021” (DRM2 EX21), me kolegët e tyre të forcave sllovene dhe 19 forcave të shteteve tjera të BE-së dhe NATO-s.
Në një postim në ‘Facebook’, ministri Mehaj thotë se kjo stërvitje synon të forcojë gatishmërinë e Forcave të Armatosura sllovene për të marrë pjesë në sistemin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera në Slloveni, si dhe për të integruar sigurinë me shtetet anëtare të BE-së dhe forcat tjera partnere, sikurse Kosova, në fushën e mobilitetit ushtarak dhe mbështetjes logjistike.
“Mirënjohje dhe vlerësim i lartë për partneritetin me ministrinë dhe forcat homologe sllovene. Besim i plotë në shkathtësitë profesionale specialistike të ushtarakëve tanë dhe aftësive ndërvepruese me forcat partnere. Forca djem, për Nderin e Kombit dhe Flamurin tonë! Për më të mirën, për veten dhe miqtë tanë!”, shkruan Mehaj.
Stërvitja “Disaster Relief and Military Mobility Exercise 2021” ka nisur më 18 tetor dhe zgjat deri më 29 tetor. Përveç Kosovës, në këtë stërvitje marrin pjesë edhe Shqipëria, Austria, Belgjika, Kroacia, Mali i Zi, BeH, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu, Maqedonia Veriore, Rumania, Çekia, Polonia, Rumania etj.