Haziri: Familja Jashari ndezi rrezet e shpresës për liri
Me ndezjen e flakadanit të zjarreve në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan, nën pjesëmarrjen e gjerë të institucioneve lokale të kryesuar nga kryetari Lutfi Haziri, me pjesëmarrje edhe të përfaqësuesve të Ushtrisë, Policisë dhe organeve të tjera të rendit dhe drejtësisë, është shënuar përfundimi i aktiviteteve kulturore në Gjilan, në kujtim të Epopesë së lavdishme të familjes Jashari.
Komuna e Gjilanit për 5, 6 dhe 7 Mars kishte organizuar aktivitete të shumta që në 22-vjetorin e rënies heroike të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, të kujtohen njëkohësisht edhe të gjithë të rënët në luftën për liri, sepse siç është thënë nga kryetarin Haziri, gjaku i dëshmorëve, heronjve e të rënëve, është themeli i fuqishëm i lirisë së Kosovës dhe njëkohësisht mbrojtja e garantuar me gjakun e tyre të njomë.
“Është shembull i rrallë, por edhe i fuqishëm, kur nj ë familje e tërë kundërvihet ndaj një regjimi kriminal që në Ballkan ka qenë i përgjakshëm, jo vetëm me Kosovën. Familja Jashari ndezi rrezet e shpresës për liri, ajo e tillë dhe shumë e fuqishme është edhe në rrugën e ndërtimit të shtetit. Bashkërisht jemi pranë të gjitha familjeve të cilat kanë dhënë vulën e lirisë me gjakun dhe sakrificën e tyre për liri”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka garantuar se angazhimi institucional do të jetë gjithnjë në shërbim maksimal ndaj qytetarëve, duke kujtuar të kaluarën e duke mos e harruar kurrsesi dhe me vizion për të ardhmen.