Haziri kërkon unitet për dialogun
Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri thotë se kjo parti do të trajtojë kërkesat që kanë të bëjnë me çështje në interes të vendit, siç është tema e dialogut me Serbinë, pavarësisht që ato vinë nga pushteti. Megjithatë, ai thekson se ende nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim nga kryeministri i vendit.
Haziri i kujton kryeministrit Albin Kurti se në kohën sa ai ishte në opozitë nuk ka bashkëpunuar me asnjë qeveri sa i përket dialogut.
Ai thotë për çështjet si dialogu nevojitet unitetet dhe duhet gjetur formula që mund t’i bashkojë në tryezë partitë e mëdha politike në Kosovë.
Kryeministri Kurti ka paralajmëruar ditë më parë se do t’i ftojë drejtuesit e partive politike në Kosovë për të diskutuar rreth dialogut, para se ai të rifillojë në qershor.
Numri dy i LDK-së thotë se kjo parti ende nuk e ka diskutuar një gjë të tillë, meqë ende nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim.
“LDK ende nuk e ka diskutuar sepse ne nuk kemi pasur asnjë lloj ftese deri tash. Ne me Qeverinë Kurti e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se do të jemi opozitë dhe qëndrimi ynë opozitë është qëndrim i qartë si kristali në këtë drejtim. Ne do të vazhdojmë të trajtojmë kërkesat që do të vinë nga ana e kryeministrit për t’i parë nga afër por çdo kush duhet me pas parasysh se kryeministrit sot në detyrë nuk ka bashkëpunuar me asnjë qeveri në të kaluarën për procesin e dialogut dhe përfshirjen në një konsensus eventual. Do të mundohemi, dhe besoj do të duhet të mundohemi me i lënë inatet politike anash, me qenë racional, në interesa kombëtare, të bashkuar dhe me u përballë me një proces i cili nuk do të jetë i lehtë, i cili është detyrë e qeverisë në radhë të parë”, thotë Haziri për KosovaPress.