Hoti, Muratit: Kur flisni me mua bëhuni serioz, mos qeshni
Me kritika nga opozita është duke u shqyrtuar marrëveshja ndërkombëtare për ratifikimin e marrëveshjes për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.
Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere këtë marrëveshje është duke e arsyetuar para deputetëve, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ministri Murati ka thënë se kjo marrëveshje parasheh një reformë të skemave sociale dhe pensionale. Sipas tij, kjo kredi rregullon këtë fushë.
“Nuk po marrim kredi për skema sociale, por për reformë në këtë sektor”, ka thënë Murati.
Deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala, ka kritikuar marrëveshjen për kredi prej 47 milionë euro që parasheh rimbursimin e skemave sociale për vitin 2021.
Ndërsa deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka thënë se nga kjo marrëveshje, 15 milionë euro janë për mbështetje direkte buxhetore, që sipas tij janë të panevojshme.
“Në histori nuk ka ndodhur me marrë kredi për skema sociale. Është e pakuptimtë me thënë po marrim kredi e borxhi s’po rritet”, ka thënë ai.
Ministri Murati ka qeshur me komentet e ish-kryeministrit Hoti, por ky i fundit ka kërkuar nga ai të jetë më serioz.
“Kërkoj të jeni serioz kur flisni me mua”, i ka thënë Hoti, ministrit Muratit.