​Humolli: Asnjë ushtri e rregullt në botë s’mund të bëjë luftë më të pastër sesa UÇK-ja

01 shkurt 2022 | 20:07

Ish-pjesëtari i Zonës Operative të Llapit, Fatmir Humolli gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa ka deklaruar se asnjë ushtri e rregullt në botë nuk mund të bëjë luftë më të pastër sesa që ka bërë UÇK-ja.

Humolli, i cili sot u paraqit në gjykatë si dëshmitar nga Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) u shpreh se një ditë apo një ditë e gjysmë para se të përfundojë ofensiva serbe në Zllash, ai ka takuar Mustafën kur kanë transportuar personat e plagosur dhe ata pa armë nga Zllashi në Koliq. Por, ai deklaroi po ashtu se takimet me Mustafën ishin shumë javore për shkak të zhvillimeve.

“Unë jam paraqitur vullnetarisht t’i ndihmojë kësaj gjykate. Duhet kuptuar se nuk ka pasur asnjë tendencë për ta ndryshuar, asnjë tendencë as për ty, as për avokatin, për arsye se jam shumë i bindur se asnjë ushtri e rregullt në botë nuk mund të bëjë luftë më të pastër se që ka bërë UÇK”, tha Humolli.

Prokurori kërkoi më pas të di për datën e saktë të takimit të Humollit me Mustafën, por ai tha për këto nuk mund të përcaktojë datë të saktë, por se takimet kanë qenë javore.

“Nuk ka pasur javë që nuk e kam mundur ta takoj Salih Mustafën…Nuk mund ta caktoj asnjë datë të saktë, por takimet kanë qenë javore dhe është datat në atë kohë për ne ditët kanë qenë pjesa dërmuese të njëjta, nuk ka pasur vikende, të gjitha kanë qenë ditë lufte… Shumicën e takimeve i kemi pasur në Sharban, kanë qenë edhe takime në Rimanishtë, Llapashticë varësisht prej nevojës dhe rrethanave që jemi takuar. Takimet e natyrës me Salih Mustafën me eprorët i kemi pasur kudo që kemi lëvizur, i kam takuar eprorët e brigadave, njësiteve përkatëse kur kam qenë në pjesën e Gollakut, i kam takuar të brigadës 153, kur kam qenë kah Llapashtica ka qenë 151, brigada 142 kur kam shkuar në Çiçavicë, i kam takuar të brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës”, tha Humolli.

I pyetur për kohën kur Sali Mustafën e kishte takuar në Zllash dhe si e kishte takuar, dëshmitari Humolli tha se takimi ka qenë një ditë apo një ditë e gjysmë pa përfunduar ofensiva në Zllash.

“Duhet të jetë prapë nuk guxoj të them datë të saktë, por mund të them se një ditë apo një ditë e gjysmë pa përfunduar ofensiva serbe në Zllash. Kemi transportuar të plagosurit dhe njerëzit pa armë prej Zllashit për në Koliq dhe këtë pjesë e ka bërë i organizuar Sali Mustafa dhe Sejdi Veselin dhe unë kam qenë pjesë që iu ka ndihmuar dhe në këtë transport ka marr pjesë zëvendëskomandanti i brigadës Sali Mustafa dhe Rrahman Dini në kuadër që ka qenë anëtar i shtabit të brigadës”, tha Humolli.

Prokurori u interesua të di nëse Salih Mustafa kishte marr pjesë në zhvendosjen e të plagosurve, ndërsa dëshmitari Fatmir Humolli u shpreh se vendimin për zhvendosjen e të plagosurve të civilëve e kishte marrë shtabi i Brigadës 153, pjesë e të cilës ishte edhe Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Seanca ne Gjykaten Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta…