Komuna e Malishevës lejon edhe disa veprimtari tjera të punojnë
Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, sot ka mbajtur një takim të shtabit emergjent komunal për COVID-19 dhe përfaqësuesve të subjekteve politike në Kuvendin Komunal, ku është shqyrtuar situata aktuale me koronavirus.
Me propozim të shtabit komunal dhe në pajtueshmëri edhe nga përfaqësuesit e subjekteve politike në KK të Malishevës, u mor vendim për plotësimin e urdhëresës 01/247, përmes së cilës lejohen të punojnë edhe disa veprimtari tjera afariste.
Veprimtaritë që do të lejohen të punojnë nga dita e nesërme janë pikat e shitjes së derivateve dhe gazit, kompanitë që merren me grumbullimin e grurit dhe furnizimit me miell, ato të grumbullimit të qumështit, kompanitë bankare dhe përfaqësitë të cilat bëjnë transfere të parave, fabrikat e përpunimit të letrës, shërbimet e internetit dhe kabllovikut, depot që merren me furnizim të materiali ndërtimor, automekanikët, gomiste rët dhe autolarjet.
Veprimtaritë tjera vazhdojnë të mos lejohen të punojnë, deri në një vendim tjetër.
Zbatimin e kësaj urdhërese obligohet ta bëjë Drejtoria e Inspektoratit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Masat për ndalimin e veprimtarive të subjekteve afariste, janë marrë në kuadër të masave shtesë për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së COVID-19 në territorin e Komunës së Malishevës, ku deri më tash janë konfirmuar 70 raste.
Sektori i bujqësisë, lejohet të punojë, sipas vendimeve të Ministrisë së Bujqësisë.