Konjufca në Rezallë: S’do të ndalemi derisa Serbia të mbahet përgjegjëse për të gjitha masakrat në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në kompleksin e varrezave në Rezallë të Skenderajt, në nderim të 98 martirëve të masakruar nga forcat serbe në vitin 1999.
Me këtë rast, Konjufca ka thënë se plagët janë ende të hapura dhe sipas tij është i dhimbshëm fakti që ende nuk ka drejtësi për gjithë gjenocidin që Serbia e ka kryer mbi popullin e pafajshëm të Kosovës.
“Jemi këtu për të bërë homazhe për 98 martirët të cilët u masakruan prej forcave pushtuese të ushtrisë së policisë dhe paramilitarëve të Serbisë 23 vjet më parë. Ajo që e bënë edhe më të rëndë këtë masakrën ashtu edhe shumë masakra të gjenocidit të Serbisë është fakti që plagët janë ende të hapura. Para 6 muajve ne i rivarrosëm këtu edhe të tjerë trupa të gjetur të këtyre martirëve të cilët ende po mbahen të fshehur në plotë vende brenda Serbisë. Serbia nuk i dorëzon ende qindra të tjerë të cilët janë të zhdukur me dhunë dhe i mbanë të fshehura pikërisht nëpër ato vende nëpër të cilat kanë ngritur edhe poligone ushtarake. Nuk ka kurrfarë dyshimi që përgjegjëse mbi këtë gjenocid që u bë mbi popullin e pafajshëm të Kosovës është Serbia. Por ajo që po na e bënë më të vështirë ketë dhimbje dhe këtë pikëllim është fakti që nuk ka pasur drejtësi ende për të gjithë ata 12 mijë qytetarë të Kosovës të vrarë gjatë gjenocidit të Serbisë”, ka thënë Konjufca.
Më tutje, Konjufca ka thënë se nuk do të ndalen derisa Serbia të mbahet përgjegjëse për masakrat që kriminelët serbë kryen mbi popullin e Kosovës.
Ai ka nënvizuar edhe se pa gjakun e derdhur të martirëve dhe sakrificës së tyre Kosova nuk do të mund ta kishte lirinë e as shtetësinë.
“Ne nuk do të ndalemi. Do t’ia tregojmë botës dhe ta argumentojmë dhe më mirë gjenocidin që ka ndodhur derisa Serbia të mbahet përgjegjëse, e të gjenden e të dënohen të gjithë ata kriminelë të cilët janë kryes të drejtpërdrejt të masakrës së Rezallës dhe të qindra masakrave të tjera në Kosovë. lavdi martirëve të cilët e dhanë jetën për lirinë e Kosovës sepse pa gjakun e derdhur të tyre, pa sakrificën e popullit të Kosovës nuk do të kishte mund të vinte as liria të cilën e kemi sot e as shteti i Kosovës prandaj lavdia është e tyre sepse kjo sakrificë qëndron fuqishëm pikërisht në themelet e shtetit tonë të cilin ne do t’ia lëmë si trashëgimin më të rëndësishëm brezave që do të vijnë”, ka thënë Konjufca.
Sot janë bërë 23 vjet nga masakra në Rezallë të Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe janë ekzekutuar 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.
Një pjesë e trupave janë gjetur në Rudnicë të Rashkës dhe i janë dorëzuar familjarëve. Më 5 prill të vitit 1999 serbët kishin rrethuar shtëpitë e këtyre familjev, duke pushkatuar pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.
Nga masakra në Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.