​Kosova pa institucion të veçantë për trajtimin psikiatrik për të burgosurit

05 shtator 2021 | 10:33

Janë rreth 30 të burgosur të cilët kanë nevojë urgjente të dërgohen për ekzaminim psikiatrik. Këta po mbahen në institucionet korrektuese në kundërshtim me aktvendimet për caktimin e paraburgimit, pasi gjykata urdhëron që paraburgimi dhe ekzaminimi psikiatrik të bëhet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

Kosova nuk ka institucion të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve, por as në institut nuk ka vende të lira. Trajtimi joadekuat i këtyre personave po konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë thotë se kanë nisur aktivitetet në kuadër të projektit për vendosjen e këtyre personave në hapësira të veçanta në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Në gjitha burgjet e Kosovës, janë rreth 200 persona të cilët kanë nevojë për trajtim psikiatrik. Javën e kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, një 33 vjeçar ka bërë vetëvrasje. I njëjti ka pasur urdhëresë për ekzaminim psikiatrik dhe zbatim të paraburgimit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, thekson se nuk është bërë diçka në krijimin e kushteve dhe trajtimin e duhur të këtyre rasteve.

“Për shkak të mungesës së vendeve dhe hapësirave që të vendoset në vend ku duhet, ai është dërguar dhe ka ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Gjë që ai ka ndërruar jetë në një institucion ku në fakt nuk është dashur të jetë, për shkak se ka pasur një shkresë nga gjykata, një urdhëresë që të vendoset diku tjetër. Ai ka bërë vetëvrasje në një vend ku me aktvendimin që i është caktuar paraburgimi, nuk është dashur të jetë në atë Qendër të Paraburgimit”, është shprehur ajo.

“Ne kemi vetëm 12 vende në psikiatrinë forenzike për ekzaminimin psikiatrik për të burgosurit. Ndërsa, në institucionet korrektuese kemi diku rreth 30 të burgosur që kanë nevojë urgjente që të dërgohen menjëherë për ekzaminim. Mirëpo, mundësitë dhe kapacitetet nuk janë. Ndërsa, njerëzit apo të burgosurit me probleme psiqike në të gjitha institucionet, numri sillet rreth 200 të burgosur të cilët kanë nevojë për trajtim psikiatrik”, ka deklaruar Rasim Selmani, zëvendësdrejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Selmani shton se janë duke punuar që në një nga pavijonet e burgut të Dubravës të trajtohen të burgosurit me probleme psiqike.

Trajtimi jo i duhur i këtyre rasteve po konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut nga Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Valentina Demolli nga KMDLNj thotë për KosovaPress, se pavarësisht që kanë bërë thirrje disa herë për zgjerim të kapaciteteve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Shtator 04, 2021. Ora po shënon pesë…