KQZ-ja shpërndan materialin zgjedhor, mbi 1 milion e 136 mijë fletëvotime të shtypura
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e materialit kryesor për raundin e dytë zgjedhor, duke përfshirë edhe fletëvotimet për zgjedhjet që do të mbahen nesër.
Nga zyrat qendrore të QNR-së, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, materialet do të dërgohen në depot e komisionerëve në 21 komuna.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka thënë se në zgjedhjet për kryetarë të komunave janë shtypur 1 milionë e 136 mijë e 150 fletëvotime për 21 komuna.
“Sipas planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri shpërndarjen e materialit kryesor zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet për në komunat e ndryshme të Kosovës. Ky material i rëndësisë së veçantë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, është dërguar në depot e komisioneve komunale të, në 21 komuna ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
Sipas vendimit të KQZ-së, për Zgjedhjet për Kryetarë të 21 Komunave janë shtypur 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime. Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, rreth 10% apo rreth 125 mijë fletëvotime më pak se numri përgjithshëm i votuesve që u takojnë këtyre 21 komunave Kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, ka thënë ai.
Më tutje, Elezi thotë se janë rreth 2 mijë e 450 persona me nevoja të veçanta, që pritet të votojnë nesër, e për të cilët janë angazhuar 80 ekipe mobile.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të angazhojë 80 ekipe mobile, numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2 mijë e 450, prej të cilëve rreth 1 mijë e 550 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues të cilët janë në hospitalizim në shtëpitë e caktuara për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit.
Po ashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mundësojë votimin e qytetarëve të cilët fatkeqësisht janë të infektuar me Covid-19 dhe që për shkak që masave nuk mund të dalin nëpër vendvotime për të votuar.
Fatmirësisht numri i rasteve aktive me Covid-19 është i ulët dhe rrjedhimisht edhe numri i votuesve nga kjo kategori”, shtoi Elezi.
Raundi i dytë i zgjedhjeve komunale do të mbahen nesër, më 14 nëntor në 21 komuna të Kosovës