Kryeziu: LDK-ja dhe LV-ja duhet të jenë pjesë e dialogut me Serbinë
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) t’i bashkohet grupit negociator për dialogun me Serbinë.
Sipas tij, LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të gjejnë mënyrën dhe fuqinë për të qenë pjesë e ekipit dhe dialogut.
Kryeziu në një intervistë dhënë për “KosovaPress” ka thënë se me tërheqjen e kryeministrin Haradinaj nga pjesëmarrja në dialog dhe me debatin e presidentit për korrigjimin e kufijve, klasa politike e ka kthyer vëmendjen te kjo çështje dhe është formuar grupi negociator i cili i ka marrë votat e Kuvendit të Kosovës.
Kryeziu konsideron se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të jenë pjesë e ekipit. “Opozita duhet të gjejë mënyrën dhe fuqinë për të qenë pjesë e këtij grupi dhe për t’u futur në dialogun me Serbinë, i cili adresuar edhe në letrën që e ka bërë presidenti Trump dhe zhvillimet tjera, ndoshta do ta kishte si pikë përfundimtare vitin 2019, nëse do të mundnim ta përmbyllnim do të kishte qenë më mirë për qytetarët e Kosovës, për rajonin dhe për shërbimet politike të brendshme gjithsesi”, ka thënë Kryeziu.