Libri i Thaçit në Kanada, Kosova vlerësohet si model për ndërtimin e vlerave perëndimore
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në promovimin e librit biografik për të ”New State, Modern Statesman”, të organizuar nga Parson Centre në Ottawa, në Kryeqytetin e Kanadasë.
Për librin biografik, por edhe për periudhat e rëndësishme për Kosovën që përshkruhen në këtë libër, diskutuan në panel edhe gjenerali Maurice Baril, James Wright, si dhe deputetja kanadeze Anita Vandenbeld.
Presidenti Thaçi ka kujtuar angazhimin e Kanadasë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, për të ndihmuar refugjatët dhe pastaj për të ndërtuar paqen në Kosovë, duke u angazhuar edhe në rrafshin ushtarak edhe në atë politik.
”Jemi në anë të ndryshme në kuptimin gjeografik, pro jemi në anën e njëjtë me vlerat dhe parimet që ndajmë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka folur edhe për angazhimin e Kosovës për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon, si dhe për aspiratat për anëtarësim në NATO dhe BE.
”Tani jem duke punuar për të filluar kapitullin e fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të ndërtuar marrëdhënie evropiane në mes dy vendeve dhe për t’i hapur rrugë perspektivës euroatlantike për Kosovën. Duhet të jetë një proces në të cilin të gjitha palët do të ndihen që kanë fituar, përfshirë edhe bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj duhet një angazhim i gjithanshëm”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, gjenerali Baril, i cili ka udhëhequr me forcat kanadeze në vitin 1999, duke folur për periudhat e ndryshme që mbulon libri biografik, u ndal te intervenimi i NATO-s në Kosovë dhe u shpreh se pasi bota kishte parë se çfarë bëri Millosheviqi në Kroaci dhe në Bosnjë, nuk mund të lejonte që ta bënte të njëjtën në Kosovë.
”Intervenimi ka qenë i drejtë dhe i ka hapur rrugën ndërtimit të shtetit të Kosovës”, ka thënë gjenerali Baril. E diplomati kanadez James Wright, i cili ka shërbyer si diplomat i lartë kanadez në vitet para dhe pas luftës në Kosovë, ka theksuar se i tërë spektri politik kanadez kishte përkrahur intervenimin në Kosovë dhe misionin paqeruajtës në Kosovë.
Ai i ka rikujtuar angazhimet diplomatike për të përfunduar luftën në Kosovë dhe për të gjetur zgjidhje për statusin e Kosovës.
”Lidershipi i Kosovës i përkrahte angazhimet e bashkësisë ndërkombëtare për paqe. Ishin Serbia dhe Rusia ato që po pengonin”, ka thënë ish-diplomati Wright.
”Kosova tani është në rrugën e duhur, drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE”, ka shtuar ai.
Kurse deputetja kanadeze, Anita Vandenbeld, njëherësh kryesuese e Grupit të miqësisë Kanada-Kosovë në parlamentin kanadez, e cila ka punuar edhe në Kosovë në kuadër të Misionit të OSBE-së, duke folur për zhvillimin e Kosovës pas lufte, ka thënë se është impresive se çfarë ka bërë Kosova që nga përfundimi i luftës në ndërtimin e një shoqërie që meriton vendin në NATO e në BE, shkruan Kosovapress, transmeton Klan Kosova.
”Kur e shikon ndarjen gjeopolitike të botës, Kosova është shtet model për ndërtimin e vlerave perëndimore”, ka thënë deputetja Vandenbeld.