Marrëveshja për dokumentet, PSD-ja: Në Kosovë mund të futesh me dokument që na trajton si pjesë të Serbisë
“Strukturat paralele u legalizuan, rroftë qeveria”. Kështu është shkruar në pankartën e vendosur nga Partia Socialdemokrate (PSD) para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë para mediave se në dialogun Kosovë-Serbi ka dakordim, por jo edhe marrëveshje.
“Janë marrë vesh, e nuk na kanë treguar për çfarë janë marrë vesh. Këtë e kanë vërë me qëllim për shkak që ata kanë bërë një marrëveshje dhe është shumë e dëmshme, për shkak se marrëveshja e re i ka legalizuar, i ka pranuar dokumentet e strukturave paralele të Serbisë, që janë edhe ilegale”, ka thënë Molliqaj.
Për pankartën e vendosur, Molliqaj ka thënë se kanë paraqitur karta të identifikimit që lëshohen nga drejtoritë e policisë për rajone të ndryshme. Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti është dakorduar që në Kosovë mund të futesh me dokument që Kosovën e trajton si pjesë të Serbisë.