Përfundon seanca në Hagë, dëshmitari i dhjetë do të dëgjohet edhe nesër
Ka përfunduar për të hënën seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Në Dhomat e Specializuara në Hagë është dëgjuar dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i njëjti do të vazhdojë dëshminë edhe nesër.
Dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së është dëgjuar në seancë të mbyllur përveç një pjesë të shkurtë ku seanca ka vijuar e hapur për publikun.
Aty, dëshmitari me kodin “W4674” ka thënë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një personi.
Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se i ka parë dy trupa të pajetë në një varr por njërin e kanë lënë aty meqë sipas tij ishte person i panjohur.
Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre nëntë dëshmitarë të ZPS-së, të gjithë të mbrojtur.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.