Policët, edhe pse të rrezikuar në punë, pa sigurim jetësor dhe shëndetësor
Policët sulmohen dhe lëndohen në punë por trajtimin duhet ta bëjnë me para të veta. Kurse, gjykata dhe prokuroria nuk po veprojnë fuqishëm dhe me një dinamikë më të madhe ndaj sulmuesve.
Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imri Zeqiri, sipas të cilit janë 21 policë të vrarë gjatë kryerjes së detyrave, qindra policë të lënduar, rreth 300 policë të sëmurë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe policë me sëmundje kronike. E pikërisht për këtë, është jetik të bëhet sigurimi jetësor dhe shëndetësor.
“Shpresojë që së paku kjo qeveri do të bëje diçka, do të bëjë lëvizje që ky ligj të hyjë në agjendë dhe të përpilohet një ligj për sigurimin jetësor dhe shëndetësor. Është jashtëzakonisht i nevojshëm dhe i arsyeshëm, sidomos për Policinë e Kosovës, puna e tyre është shumë specifike dhe me një rrezikshmëri shumë të lartë edhe për jetën, edhe për shëndetin e tyre dhe kuptohet kur nuk kemi sigurim shëndetësor ku të mbështeten ata. Një polic i lënduar në detyrë, i sulmuar të gjitha shpenzimet për shërimin e tij i bart vet. 21 policë të vrarë gjatë kryerjes së detyrave, mandej kemi qindra policë të lënduar, mandej kemi diku rreth 300 policë që janë të sëmurë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, kemi diku 300 policë që kanë vdekur gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanë vdekur, nuk janë ma, kemi zyrtarë me sëmundje kronike dhe kjo është ajo arsyeja që është e domosdoshëm dhe jetik dhe në këtë drejtim i bëj apel qeverisë që këtë vit ta fut në agjendë sigurimin jetësor dhe shëndetësor për Policinë e Kosovës”, u shpreh Zeqiri.
Zeqiri thotë për KosovaPress, se policët po përballen me rreziqe të mëdha dhe për këtë kanë merituar të shpërblehen nga shteti.
“Unë mendoj që ky shpërblim i pagës, i një page ekuivalente ka qenë një kërkese mjaft modeste në krahasim me kërkesat e tjera. Kemi mbaj një takim zyrtar dhe gjatë takimit jemi dakordu për shumicën e kërkesave që i ka Policia e Kosovës, konkretisht sindikata jonë, sindikata e policisë. Ndër të tjera ka qenë edhe kërkesa për një shpërblim për fundvit për gjithë punonjësit. Neve kemi përcjell një kërkese me shkrim ministrit Sveçla dhe kemi informacione të sakta se ministri e ka përcjell kërkesën tonë në Ministrinë e Financave, por që as ai nuk ka marrë përgjigje e as ne nuk kemi marrë përgjigje. Dhe këtu ishte ai mllefi pse së paku nuk kemi marrë një përgjigje nga Qeveria me u arsyetu, cila është arsyeja që nuk është bërë kjo pagesë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Zeqiri shton se po akuzohen padrejtësisht në lidhje me trajtimin e rasteve dhunës në familje.
“Rasti në Llaushë të Skenderajt me keqardhje është që ka ndodh vrasja, mirëpo e them me qind për qind siguri pa fajin e policisë. Policia në rastin e tillë ka intervenu, i është përgjigjur rastit dhe i ka kryer të gjitha procedurat në kompetencat e policisë, bazuar në ligjin dhe autorizimet policore. Është marrë, është trajtu edhe viktima e rastit, është trajtuar edhe i dyshimti… Policia e Kosovës një person të ndaluar për intervistim ka të drejtë ta mbajë gjashtë orë, mbas gjashtë orëve është kompetencë e prokurorit nëse e dërgon në mbajtje për 48 orë, pa vendim të prokurorit nuk ka mundësi me e dorëzu dhe le ta dinë edhe opinioni që prokurori është ai që i udhëheq hetimet në të gjitha rastet, policia i kryen punët në bazë të urdhrave të prokurorit”, ka thënë ai.
Ai madje kërkon që të ketë dënime më të ashpra për sulmuesit ndaj policëve.
“Të gjithë kryerësit e veprës penale të dënohen sipas ligjit, as më shumë, as më pak dhe mendoj se do të ishte një parandalim për parandalimin e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë. Përndryshe derisa ata kryerësit e këtyre veprave, sulmueset, të dyshuarit që sulmojnë Policinë e Kosovës nëse shkojnë me dënime më të buta apo të them të ketë aty tolerancë, atëherë ata veç po fuqizohen dhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës nuk do të ndalen asnjëherë. Nuk po dua me akuzuar as prokurorinë, as gjykatën në atë aspektin se nuk po veprojnë fare, por mendoj se duhet të veprojnë më fuqishëm, me një dinamikë më të madhe dhe të zbatojnë ligjet që janë në fuqi dhe të gjithë ata që sulmojnë policinë të marrin dënimin”, u shpreh ai.
Të gjitha këto kërkesa, Zeqiri shprehet se do i paraqes në një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Ndërkohë, njofton se që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, janë infektuar 2210 zyrtarë policor dhe aktualisht janë 40 policë me COVID-19. /Telegrafi/