Publikohen online të dhënat e agjentëve të SHISH-it
Shqipëria, edhe pse vend anëtar i NATO-s, ka publikuar informacione të ndjeshme mbi funksionarët më të lartë të shërbimit sekret në internet, duke dhënë detaje mbi identitetet, mjetet, rolet operative, dokumentet e udhëtimit dhe sjelljen e përditshme “online”, në atë që duket si një shkelje potencialisht e rrezikshme që mund të ketë edhe pasoja ndërkombëtare.
Të dhëna mbi pagat dhe shpenzimeve, që janë publikuar përmes një tabele “excel”-i në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, tregojnë një “lumë”detajesh mbi Shërbimit Informativ Shtetëror, përfshi vendndodhjet e zyrave në terren, tërheqjet e parave “cash”, si dhe detaje të tjera si hidraulikët, teknikët dhe mekanikët që ata shfrytëzojnë. Nga të dhënat shihen emrat dhe numrat e kartave të identitetit të agjentëve në shërbim, të cilët operojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfshi edhe në dy poste tejet të rëndësishme në selinë e NATO-s në Bruksel. Tabelat e “excel”-it zbulojnë emrat, pozicionet, pagat dhe shpenzimet të të paktën 8 operativëve të lartë shqiptarë, disa prej të cilëve nën mbulimin diplomatik, në Belgjikë, Greqi, Kosovë, Itali, Maqedoni dhe Serbi. Britanikja “Independent” nuk zbulon asnjë emër apo detaje të tjera identifikuese, për të parandaluar kështu ndëshkimin e informatorëve të niveleve më të ulëta, apo njerëz të tjerë të lidhur me agjentët e shërbimit informativ. Edhe pse janë njohur me shkeljen në fjalë gjatë një takimi në një kafene jashtë ndërtesës së fortifikuar rëndë të SHISH-it në Tiranë, zyrtarët e agjencisë e kanë pranuar ndjeshmërinë e informacionit të publikuar.“Parimi është që gjithçka bën agjencia jonë duhet të jetë e fshehtë, ne jemi të detyruar t’i zbatojmë këto rregullore, – thotë një zyrtar i paidentifikuar i SHISH. – Rregullorja nuk na lejon neve të shpenzojmë parà pa i raportuar më parë ato”.
Profesionistë të fushës së sigurisë dhe informimit sekret shprehen të tronditur nga ky zbulim, gjë që mund t’i vendosë agjentët në pozicione të cënueshme ndaj mbikëqyrjes apo shantazheve të organizatave armike të inteligjencës, apo kriminelëve që kërkojnë të infiltrohen në aleancën perëndimore.“Nëse ata hyjnë në sistemin e Shqipërisë, mund të futen në sistemin e NATO-s”, thotë Xhemal Gjunkshi, deputet opozitar i PD-së, që është edhe anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe ish-Gjeneral Major i ushtrisë. “Me të tërhequr një fije, ti mund të përfundosh në Bruksel apo Londër, ose në zyrën e Komandës Supreme të aleancës në Shtetet e Bashkuara”./kp