​Punëtorët rrezikohen në punë, kërkohet mbyllja e disa vendpunishteve

06 qershor 2019 | 16:27

Tregu i punës në Kosovë karakterizohet me shkelje të mëdha. E lidhur me këtë po kërkohet raportim dhe intervenim më i shpejtë nga akterët kyç. Kështu u tha të enjten në tryezën “Rëndësia e Sigurisë në Punë”, organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria e Integrimeve Evropiane që është mbajtur në qytetin e Pejës.

Udhëheqësi i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, ka deklaruar se legjislacioni i Kosovës i ka të përfshira të gjitha direktivat e legjislacionit të Bashkimit Evropian sa i takon sigurisë në punë por që ato nuk po gjejnë zbatim në praktikë.

Duke folur për rëndësinë e sigurisë në vendpunishte, Brusa ka thënë se nëpër shumë vende të punës në sektorin e ndërtimtarisë duke nisur nga skelet nëpër të cilat duhet të hipin punëtorët për të punuar vërehet mungesa e interesimit të punëdhënësve dhe joserioziteti i tyre për sigurinë e punëtorit.

Sipas tij, Inspektorati Punës nuk është duke bërë mjaftueshëm në këtë drejtim teksa ka këshilluar që me urgjencë të mbyllen disa vendpunishte në Kosovë.

Ai ka kritikuar edhe sindikatat e punëtorëve që nuk po e ngritin sa duhet zërin për të drejtat dhe shkeljet që u bëhen punëtorëve në Kosovë.

Brusa tutje ka thënë se ndonëse BE-ja ka investuar miliona euro në mjetet e Inspektoratit të Punës dhe po ashtu në trajnime, akoma nuk kanë parë rezultate konkrete. “Duke ardhur në Pejë pashë dy ndërtesa të cilat skelet i kishin të ndërtuara në mënyrë jo të duhur, siç thash skelet janë një shenjë se sa serioz është kontraktuesi i cili është duke ndërtuar një objekt. Roli i Bashkimit Evropian është këshillëdhënës. Roli ynë është të ndërtojmë kapacitete por pas kësaj varet nga organet dhe autoritet e Kosovës dhe nga populli i Kosovës që t’i mbroni punëtorët tuaj”, u shpreh ai.

Udhëheqësja e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, Brikenë Hoxha, ka thënë se papunësia dhe varfëria në Kosovë i detyron punëtorët që të punojnë në kushte të papërshtatshme, pa kontrata pune, me orar të zgjatur dhe në mjedis të pasigurt.

Po ashtu, Hoxha ka thënë se nga hulumtimet që kanë bërë si organizatë ka rezultuar se shkaktarët kryesorë të aksidenteve dhe vdekjeve në vendet e punës janë goditje të papritura nga makineria, rrëzimet etj.

Teksa ka folur për shifrat e vdekjeve dhe lëndimeve në vendin e punës, ajo ka deklaruar se ka një mospërputhje të shifrave që i posedon Inspektorati i Punës dhe sindikatat. “Për vitin 2017 kemi të evidentuar 21 punëtorë të vdekur, në vitin 2018 i kemi 22 punëtorë të vdekur, ndërsa deri në muajin maj të këtij viti kemi të evidentuar gjashtë punëtorë, ndërsa të dhënat e sindikatës raportojnë për dhjetë punëtorë të vdekur deri”, ka thënë Hoxha.

Zëvendëskryeinspektori në Inspektoratin e Punës, Agim Millaku, ka thënë se sfidë kryesore e këtij institucioni mbikëqyrës është mungesa e numrit të inspektorëve dhe nevoja për të kryer trajnime adekuate në terren.

Po ashtu, Millaku ka thënë se ngritja e edukimit te punëtorët sa i takon sigurisë dhe shëndetit është sfidë.

Ai ka thënë se Inspektorati i Punës është duke bërë vazhdimisht përpjekje që ta rrisë sigurinë në punë përmes inspektimeve të shumta në terren.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Isuf Azemi, ka thënë se e fajtori kryesor që punëtorët e sektorit privat i ka sjell në këtë gjendje janë qeveritarët dhe vet Inspektorati i Punës.

Ai ka thënë se Qeveria dhe Inspektorati i Punës për t’u bërë vet të pasur kanë lënë anash sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.

Azemi ka deklaruar se në sektorin privat mbi 50 për qind e punëtorëve janë të punësuar pa kontrata të punës, ndërsa mbi 95 për qind e punëdhënësve nuk e zbatojnë Ligjin e Punës dhe Kontratën Kolektive.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori malazez që aktivizohet te skuadra e Spalit në Itali,…