Rama: Pjesëtarët serbë të FSK-së u larguan për shkak të shantazheve
Forca e Sigurisë së Kosovës është vetëm një hap larg transformimit në ushtri, dhe është e gatshme të marrë detyra të reja.
Këtë e thotë komandanti i Forcës së Sigurisë gjenerallejtënant Rrahman Rama, ku thekson se nuk po ndërtohet një forcë që do të jetë rrezik për dikë, por një të tillë që do të jetë faktor stabiliteti në Kosovë dhe rajon.
Në një intervistë të dhënë për “KosovaPress”, Rrahman Rama ka folur edhe për largimet e pjesëtarëve serbë nga institucioni i FSK-së. Sipas tij, nuk është morale e as ligjore, që dikush nga jashtë të ndërhyjë në punët e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar një pako prej tre projektligjeve për FSK-në duke ia proceduar kështu Kuvendit për miratim. Këto projektligje rregullojnë rolin, funksionimin dhe shërbimin në FSK.
Kështu, po synohet të përfundojë procesi i tejzgjatur për formimin e ushtrisë së Kosovës.
Komandanti i FSK-së, thotë se këtë proces e ka vështirësuar vetëm problemi politik, meqë FSK ka kohë që është e gatshme të marrë detyra të reja.
I pyetur për kushtet dhe pajisjet që do t’i ketë forca e re, Rama ka deklaruar se e rëndësishme është që pjesëtarët të jenë të përgatitur.
“Pajisjet janë material harxhues që mund t’i blejmë por është më rëndësi që të jemi të përgatitur që t’i përdorim ato pajisje. Dhe, ne i kemi kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme. Çka e ka vështirësuar, përveç problemit politik që të gjithë e dimë, nuk e ka vështirësuar këtë proces diçka tjetër, sepse ne e kemi thënë edhe para katër vitesh që ne jemi të gatshëm që të fillojmë t’i implementojmë këto plane të përbashkëta që i kemi bërë me partnerët tanë, ka thënë Rama
Që nga themelimi, prioritet i FSK-së ka qenë integrimi i komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë. Aktualisht, pjesëmarrja e tyre në FSK është 10.2 përqind.
Madje, në fillim të këtij viti, FSK kishte bërë rekrutime të veçanta vetëm për komunitetin serb, duke shtuar kështu numrin, 5.5 për qind në FSK ishin vetëm serbë.
Por, ky numër pësoi rënie këtë vit, kur shumë pjesëtarë të FSK-së, nga komuniteti serb, dhanë dorëheqjen.
Komandanti i FSK deri tani ka nënshkruar 51 vendime për largim.
“Fatkeqësisht presionet që kanë bërë, nga jashtë Kosovës, shantazhet, kërcënimet që janë bërë ndaj pjesëtareve të FSK-së, deri më tani i kemi 51 të larguar, po flas në të dhëna zyrtare dhe vendime që janë nënshkruar, sepse ata kanë bërë kërkesë për demobilizim dhe janë procedura, i kemi ligjet dhe rregulloret që nuk duhet t’i respektojmë dhe bazuar në ato ligje dhe rregullore, unë i kam nënshkruar 51 vendime që janë të larguar nga FSK. Të tjerët vazhdojnë të punojnë me gjithë, prapë po them, disa presione e shantazhe që i kanë por çka është shumë me rëndësi është që ne si Forcë nuk e kemi problemin që t’i zëvendësojmë ata. Kemi aplikantë, kemi aplikacione që ne në të ardhmen e afërt do t’i zëvendësojmë me gjeneratat të ardhshme ose rekrut të ri që do të jenë”, ka deklaruar Rama.
Por, sipas udhëheqësit të institucionit më të besueshëm në vend, largimi i tyre nuk kishte fare të bënte me ndonjë problem të pjesëtarëve me FSK-në, meqë sipas tij, ata kishin deklaruar të gjithë se ishin shumë të kënaqur me trajtimin dhe punën aty.
Gjenreal Rama vlerëson se nuk është morale, e as ligjore, që dikush të përzihet në punët e brendshme të një shteti tjetër.
“Nuk është etike, nuk është morale, nuk është ligjore që me u përzi në punët e një shtetit tjetër, por fatkeqësisht ka ndodh dhe ne kuptojmë presionet që i kanë pas, jo vetëm ndaj pjesëtarëve tonë, por edhe pjesëtareve të familjes së tyre, sidoqoftë është një vendim vullnetar, sepse Forca jonë është Forcë vullnetare, profesionale dhe ne nuk e mbajmë askënd me zor këtu. Çka është shumë me rëndësi, çdo kërkesë për demobilizim nuk ka pas asnjë fjalë të vetme të keqe për institucionin”, ka thënë ai.