Rukiqi: Qeveria po heziton ta pranojë krizën ekonomike në Kosovë
“Neve po na shqetëson pak neglizhenca e institucioneve për ta trajtuar në mënyrë më serioze këtë krizë, për ta adresuar që ka një krizë. Fillimisht duhet pranuar që ka një krizë, ka pak një hezitim të qeverisë ta adresojë si krizë dhe unë mendoj që kjo është natyra e problemit, pastaj te specifikat e problemit apo si mund të trajtohet një krizë, ka shumë mekanizma. Në radhë të parë do të ishte një mekanizëm mes sektorit privat dhe qeverisë për me diskutuar në baza të rregullta këtë çfarë po ndodhë dhe kjo po bëhet praktikë në të gjitha vendet”, ka thënë Rukiqi.
Rukiqi, në fund të mandatit të tij, ka folur rreth sfidave me të cilat po ballafaqohen bizneset, bashkëpunimin me institucionet, çështjen e çmimeve të naftës dhe marrëveshjet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
I pyetur për gjendjen aktuale në të cilin po kalon vendi me ngritje të inflacionit, i cili tashmë është 11.2 për qind, Rukiqi ka thënë se qeveria aktuale nuk është duke e pranuar se vendi është në gjendje jo të mirë ekonomike.
Sipas tij, qeveritë e vendeve tjera dhe bizneset janë ulur së bashku për t’i diskutuar problemet e këtyre të fundit, por kjo nuk ka ndodhur edhe në vendin tonë, gjë që mund të krijohen dëme të pariparueshme.
Rreth rritjes së çmimit të naftës, Rukiqi ka deklaruar se fajtor për këtë nuk janë bizneset, ashtu siç po thuhet nga qeveria, por sipas tij, fajtor për këtë është importi me rritje të çmimit.
“Unë mendoj që qeveria duhet ta pranoj si krizë, jo si krizë që e ka shkaktuar kjo qeveri apo ajo, si krizë e rrethanave e faktorëve të jashtëm, por nëse nuk trajtohet si krizë, atëherë është problem me i marrë edhe masat adekuate dhe shpeshherë në situata të tilla tentohet të vendoset faji diku tjetër p.sh., si te rasti i naftës, sjellja është sikur fajin e kanë tregtarët se nuk është ky problem i natyrës tjetër”, ka thënë Rukiqi
Ndërsa sa i përket bashkëpunimit qeveri-OEK dhe biznese, sipas Rukuqit, kryeministri Kurti del të jetë më i mbyllur për të parë nga afër problemet në të cilat kalojnë bizneset e vendit por edhe organizatat.
“Ende është një vit prej që e kanë marrë mandatin por sigurisht, ka një ngadalësim, ose më mirë të themi ka një rënie të intensitetit të bashkëpunimit mes biznesit dhe institucioneve publike në këtë mandat. Shpresoj se kjo do të përmirësohet si çdo qeveri që vjen në fillim i ka pak ato kokëfortësitë e veta por megjithatë shpresoj që me kohën edhe mund të përmirësohen”, ka deklaruar Rukiqi.
Pas katërmbëdhjetë vjetësh në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi ka treguar eksperiencat e tij ndër vite. Ai ka thënë se ndërrimi i qeverive dhe gjendja me pandeminë, kanë qenë momentet më të jashtëzakonshme për atë.
Ai ka folur edhe për zgjedhjet të cilat do të mbahen edhe pak muaj për të parin e Odës Ekonomike. Sipas tij, duhet të jetë dikush që e njeh natyrën e funksionimit të organizatave të bizneseve. /Ksp/