​Sot nis turneu memorial “Fadil Vokrri”

25 dhjetor 2018 | 16:07

Për nder të legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit, sot pasdite do të nisë një turne futbolli në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Ish-futbollisti dhe ish-kryetari i FFK-së, Vokrri vdiq më 9 qershor të këtij viti pas një sulmi në zemër, dy vite pasi e kishte anëtarësuar Kosovën në dy organet kryesore qeverisëse të futbollit ndërkombëtar, FIFA dhe UEFA, shkruan “Gazeta Express”.

Për ta nderuar figurën e tij, sot në orën 18:30  do të fillojë turneu memorial me moton “Faleminderit Legjendë”. Turneu do të zgjatë nga sot deri më 30 dhjetor dhe është organizuar nën patronatin e  presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Hapjen e turneut do të bëjnë dy djemtë e ish-futbollit dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Gramoz dhe Albert Vokrri. Pas kësaj, do të zhvillohen gjashtë ndeshje sipas planprogramit të turneut. Të ftuara janë skuadrat e Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës, FFK-ja, Lorik Cana dhe shumë artistë të tjerë të njohur.

Edhe ish-bashkëlojtarët e Vokrrit në Llap, ku e kishte filluar karrierën si futbollit, do të marrin pjesë në këtë turne.

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pozitat e Eusebio di Franceskos në bankinën e Romës janë…