​Vetëvendosje pas ndërprerjes së punimeve në rrugën Deçan-Plavë: Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët i zbatojnë

16 gusht 2020 | 22:06

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryeministrin Avdullah Hoti dhe partnerët e tij qeverisës se po i vënë në zbatim kërkesat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, gjë e cila sipas kësaj partie, ka ndodhur edhe me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor Deçan-Plavë.

Në një shkrim në “Facebook”, Vetëvendosje përkujton se Qeveria Hoti më herët mori vendim për heqjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, hoqi pastaj dorë nga fushata për njohjet e Kosovës shtet dhe tash ka ndalur edhe projektet rrugore.

“Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët, i zbatojnë. Kështu ndodhi edhe me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor Deçan-Plavë. Tashmë është bërë e zakonshme për këtë qeveri të zbatojë kërkesat e Serbisë, gjë që në kontrast të plotë me indiferencën e saj ndaj kërkesave të popullit të Kosovës. Më parë u hoq reciprociteti, pastaj u ndal fushata diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e tani po ndalen edhe projektet rrugore. A është kjo qeveri vartëse e Vuçiqit apo çfarë? Cili është qëndrimi i atyre që mburren për patriotizëm brenda në qeveri, kur as premtimin e tyre elektoral, rrugën Deçan-Plavë nuk e ndërtojnë dot pa lejen e Serbisë? Sigurisht që s’kanë qëndrim, sepse dëshira për pushtet dhe frika nga zgjedhjet ua ka mbyllur gojën”, thuhet  në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje!.

Duke kujtuar se banorët e Deçanit kanë nevojë për investime dhe infrastrukturë, e lidhja e Plavës me Kosovën është projekt me rëndësi kombëtare, LVV thekson se Manastiri i Deçanit është po ashtu një institucion i rëndësishëm fetar, e që mbrohet nga ligji e shteti i Kosovës, andaj konfliktet e tilla nuk ka arsye fare pse të bëhen çështje ndërshtetërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ronald Koeman është kapur nga kamerat në aeroportin e Barcelonës.…