Vreshtarët ankohen për çmimin për kilogram rrushi: Nuk mbulojmë as shpenzimet
Çmimi prej 26 centësh për kilogram rrushi nga vreshtarët e Rahovecit po konsiderohet si tejet i ulët dhe që nuk mbulon as koston e shpenzimeve që kanë pasur gjatë punës në vreshta. Rahovecianët që merren kryesisht me kultivimin e rrushit të tryezës dhe rrushit të verërave, po kërkojnë nga kompanitë që merren me përpunimin e rrushit që çmimi për kilogram të rritet, si mënyrë e vetme që të vazhdojnë të merren me këtë veprimtari bujqësore.
Kompanitë që e marrin rrushin për prodhimin e verës thonë se përkundër pandemisë nuk kanë zvogëluar çmimin për kilogram rrushi, ndërkohë që nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimin Rural thonë se ata nuk mund të ndërhyjnë në çmimin e rrushit pasi që tregu është i lirë.
Sylejman Daka posedon një hektar vreshta, prej të cilave 70 ari me rrush të verërave dhe 30 ari rrush të tryezës, i cili thotë se çmimi prej 26 centë nuk ia mbulon as shpenzimet që ka bërë.
Ai thekson se këtë vit rrushi është i një cilësie shumë të mirë dhe një cilësi e tillë, sipas tij, prodhon edhe një verë të mirë. Daka thotë se kjo duhet të vlerësohet nga kompanitë që e marrin rrushin për prodhimin e verës.
“Çmimi prej 26 centësh që është paguar vitet e kaluara, vjet dhe parvjet, është çmim i ulët në krahasim me koston e cila nevojitet për kultivimin e rrushit, rrushit të cilësisë së mirë është i ulët prej 26 centësh. Mirë do të ishte që të jetë çmimi për një kilogram të jetë së paku 40 centë ose deri në 50 centë, që do të ishte më e pranueshme që të rritet normal edhe leverdia e vreshtarëve për kultivimin e rrushit”, thotë ai.
Rritje të çmimit për kilogram rrushi kërkon edhe kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të Kosovës, Habib Dina. Ai potencon se çmimi prej 26 centë nuk është real dhe se i dëmton vreshtarët.
“Çmimi, të them të drejtën, nuk është çmim real pasi që brenda këtyre 10 viteve të fundit çmimet kanë pësuar një rënie shumë të madhe, do të thotë një rënie prej 100 përqind të çmimit. Varietet të cilët e kanë pasur çmimin ta zëmë 50 centë tani e kanë 25 centë, varietet të cilat e kanë pasur çmimin 30 centë tani e kanë 15 centë. Ne shpresojmë që këtë vit përpunuesit të merren më seriozisht sepse është edhe në të mirën e tyre kur ata na përkrahin neve për shkak se e rrisim ne si fermerë cilësinë. Do të thotë çmimet presim këtë vit të rriten”, thotë ai.
Në anën tjetër, Ruzhdi Haxhijaha, pronar i verarisë “Bodrumi i Vjetër”, thotë se edhe këtë vit do të marrin kilogramin e rrushit për 26 centë përkundër vështirësive që u ka shkaktuar pandemia.
Haxhijaha thotë se përkundër vështirësive, verëtarët janë pajtuar që të mos e ulin çmimin për kilogram rrushi.
“Sa i përket çmimit ka spekulime që çmimi do të zbritet këtë vit në krahasim me vitet e tjera, por ne jemi marrë vesh Shoqata e Verëtarëve të Kosovës që edhe këtë vit përpos që kemi vështirësi të mëdha që është pandemia, që kemi vështirësi në plasimin në treg dhe që jemi në kohën kur qeveria ka shpallur masat e jashtëzakonshme për çështjen e COVID-it, kjo është një veprimtari e cila është më e goditur në krahasim me veprimtaritë e tjera që është veprimtaria e verëtarisë, gastronomisë dhe hotelerisë. Ne kemi vendosur që mos t’i ulim çmimet në krahasim me regjionin, tregjet e tjera ose shtetet e tjera që kanë bërë uljen e çmimit të rrushit. Kështu që u premtoj ose i informoj bujqit që sivjet do të jetë rrushi me çmimin e njëjtë siç ka qenë vitin e kaluar dhe nuk do të preket, nuk do të ulet”, thotë ai.
Lidhur me këtë çështje, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, u shpreh se nuk mund të ndërhyjnë pasi që është çështje e tregut të lirë, mirëpo theksoi se po bëjnë përpjekje për të ndihmuar vreshtarët me grante dhe subvencione.
“Ne po bëjmë përpjekje maksimale që t’i përkrahim maksimalisht edhe në kategorinë e subvencioneve po edhe granteve. Në fillim të vitit të ardhshëm ne planifikojmë që të kemi një shpallje në vlerë prej 30 milionë eurosh dhe mendoj që përkrahja për cilësinë edhe për rritjen e rendimentit është angazhimi kryesor që mund ta bëjmë ne si ministri. Ndërsa, sa i përket çështjes së çmimit, çmimet janë çështje kryesisht të ekonomisë së lirë të tregut, ajo që e përcakton do të thotë është çështje e ofertës dhe kërkesës në treg. Sido që të jetë, pavarësisht kësaj ne po bëjmë përpjekje që të rrisim nivelin e përkrahjes qoftë në kategorinë e subvencioneve dhe granteve dhe besoj që duke e rritur edhe cilësinë edhe sasinë dhe duke hapur mundësinë e tregut jo vetëm në Kosovë, por edhe të eksportit, mendoj që kjo pashmangshëm ka një ndërlidhje edhe në aspektet e çmimeve për vreshtarët”, thotë ministri.
Vreshtarët e Komunës së Rahovecit kanë nisur vjeljen e rrushit me 7 shtator, ku edhe është organizuar ceremonia e festës së vjeljes së rrushit.