Zelensky akuzon Rusinë për luftë energjetike
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë për një luftë energjetike dhe ka bërë thirrje për më shumë unitet në Evropë.
Ai tha se Rusia po përpiqet ta rrisë edhe më shumë presionin energjetik mbi Evropën, teksa shtoi se shpërndarja e gazit përmes rrjedhës veriore është pezulluar plotësisht.
“Rusia dëshiron ta shkatërrojë jetën normale të çdo evropiani – në të gjitha vendet e kontinentit tonë”, tha Zelensky në një videomesazh.
I pari ukrainas tha se qëllimi është të dobësohen dhe frikësohen vendet në Evropë, teksa shtoi se përveç tankeve e raketave, Rusia po përdorë edhe energjinë si armë.
“Evropianët duhet të koordinojnë më mirë kundërmasat e tyre dhe të ndihmojnë më shumë njëri-tjetrin. Përveç kësaj, presioni ndaj Rusisë duhet të rritet në mënyrë që të kufizohen të ardhurat ruse nga shitja e naftës dhe gazit”, tha Zelensky, përcjell Klankosova.tv.
Zelensky akuzoi Rusinë për një luftë energjetike pasi kompania ruse e energjisë Gazprom dështoi të rivendoste furnizimet me gaz të Rrjedhës Veriore (Nord Stream) 1 në Gjermani të shtunën në mëngjes, në kundërshtim me planet e mëparshme. Gazpromi e justifikoi veprimin e tij me një rrjedhje të supozuar të naftës në stacionin e kompresorit Portovaya pranë Shën Petersburgut.
Zelensky dënoi gjithashtu plagosjen e disa fëmijëve në Chernihiv. Ai e përshkroi incidentin si të papranueshëm dhe premtoi se përgjegjësit do të ndëshkohen.