1 100 fermerë subvencionohen nga komuna e Prizrenit me farë gruri
Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Prizrenit të enjten ka bërë shpërndarjen e farës së grurit për fermerët përfitues nga thirrja publike e kësaj drejtorie, ku pjesëmarrës ishin edhe nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Eshref Memaj dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Egzon Elshani.
Përfitues nga ky projekt janë 1 100 fermerë, ndërkaq sasia e farës me të cilën u furnizuan secili fermer është 225 kilogramë. Me sasinë e përgjithshme të farës që është shpërndarë, do të mundësohet mbjellja e një sipërfaqeje prej 950 hektarësh.
Fara e grurit, e cila u shpërnda për përfituesit, është i kualitetit të lartë dhe i plotëson të gjitha kushtet optimale për mbjellje.
Kostoja e këtij projekti është 115,958.5 mijë euro dhe të gjithë aplikuesit të cilët kanë poseduar dokumentet e nevojshme dhe i kanë plotësuar kushtet kanë përfituar nga ky subvencion.