1.2 milionë euro investime për ujin në Kamenicë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me kryeshefin e KRU “Hidromorava” Ymer Salihu kanë nënshkruar marrëveshjen për investimet e reja që do të bëhen në furnizimin me ujë si dhe rregullimet që do të bëhen në sistem.
Rogana, Novosella, Hodonoci, Muçiverci, Shipashnica e Dajkoci janë fshatrat e Komunës së Kamenicës të cilat do të kyçen në ujësjellës, problem ky i kamotshëm në këto lokalitete. Vetëm ky investim sipas njoftimit të Kryetarit Rahimaj arrin vlerën e 303,000 eurosh.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje është përfshirë edhe rregullimi si dhe shtimi i sasisë së ujit për qytetin, me rezervuar të ri.
Ky rezervuar që do të vendoset në fshatin Berivojcë arrin vlerën e 120,000 eurosh.
Në këtë fushë, momentalisht po punohet edhe në implementimin e projektit FLOWS, projekt ky që arrin vlerën e 750,000 eurosh, i cili ka për qëllim zgjerimin e rrjetit të ujit në qytet si dhe eliminimin e gypave të azbestit në lagjen “Iliria”.
“Së bashku jemi afër që ta eliminojmë pothuajse në tërësi problemin e ujit në Kamenicë”, ka thënë Rahimaj.
Ai gjithashtu nëpërmjet njoftimit të tij ka falënderuar Ministrinë e Ekonomisë si dhe KRU “Hidromorava” për bashkëpunimin dhe mundësimin e këtyre projekteve.