1 950 ankesa ndaj policisë, rekomandohet suspendimi i 82 pjesëtarëve, arrestohen 30
Këtë vit Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar 1 950 ankesa të qytetareve ndaj punës së Policisë së Kosovës që kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, kryeshefi ekzekutiv në Inspektoratin Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj.
Madje, ai tha se mbi 600 janë përcjellë për hetim penal në Departamentin e hetimeve dhe si rezultat i hetimeve penale Inspektorati ka rekomanduar suspendimin e 82 zyrtarëve policorë dhe janë arrestuar 33 punonjës të Policisë.
“Këtë vit Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një numër të lartë të ankesave. Kemi një rritje të numrit të ankesave të qytetarëve në masën 30% në raport me vitin e kaluar. Deri tash kemi mbi 1 950 që janë pranuar”.
“Janë kryesisht ankesa të qytetarëve ndaj punës së policisë lidhur me vepra apo dyshime për shkelje të ndryshme kryesisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo shkelje të ndryshme që mund të hasin nga ana e punonjësve të Policisë. Prej këtij numri të ankesave mbi 600 janë përcjellë për hetim penal në Departamentin e hetimeve dhe pastaj si rezultat i hetimeve penale ne kemi rekomanduar suspendimin e 82 zyrtarëve apo punonjësve të Policisë dhe janë arrestuar 33 punonjës të Policisë si rezultat i hetimeve të përbashkëta me prokuroritë përkatëse”.
Sipas tij, zyrtarët policorë që po hetohen i përkasin të gjitha niveleve të Policisë, raporton EO.
“Në numrin e zyrtarëve që po hetohen sigurisht që ka të gjitha gradave. Sigurisht ku ka numër më të madh ka edhe të dyshuar më shumë. Nuk kam shifër të saktë se për cilën gradë nga sa punonjës i kemi të dyshuar mirëpo është numër i lartë”.
“Natyra e ankesave ka të bëjë me keqtrajtim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ka pakënaqësi të qytetarëve që lidhen me kufizimet që Policia dhe inspektoratet janë detyruar të bëjnë ndaj bizneseve dhe ne kemi pasur edhe një plan të monitorimit të policisë se si po i zbaton masat e Qeverisë për parandalimin e Covidit”, tha Hodaj.